KAS rrëzon Celibashin, mandati i “Nismës Shqipëria Bëhet” kalon për Ana Dajkon

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe i Sanksioneve (KAS) vendosi sot që të rrëzojë vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe t’i kalojë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” Ana Dajkos.
Ana Dajko ishte e renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Më herët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ia kishte kaluar mandatin, Kleana Xhuvelit.
Në këtë mënyrë KAS vendosi edhe rrëzimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, e cila kërkoi që mandati t’i kalojë Adriatik Lapajt.
Relatori i kësaj ankese, Elvis Çefa, sqaroi se dorëheqja më 11 maj e kandidatëve në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” është “nul” dhe nuk mund të merret në konsideratë.
“Akti i dorëheqjeve nga kandidimi i bërë në rastin konkret ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur të subjektit zgjedhor është një akt nul, absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mund të merret në konsideratë.
“Për rrjedhojë subjekti nuk mund të pretendojë që KQZ të miratojë një akt që është nul. Në këto kushte ky akt nuk ka asnjë pasojë juridike, sepse heqja dorë nga kandidimi nënkupton në vetvete prishjen e listës të kandidimit të atij subjekti zgjedhor, e cila ka pasojë ligjore ndalimin e konkurrimit të këtij subjekti në zgjedhje.
“Mund të jetë zgjedhur si strategji politike ndoshta nga ana juaj, është e pamundur si proces. Ndaj KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të subjektit Lëvizja Shqipëria Bëhet për vendimin e KQZ për përcaktimin e kandidates fituese të subjektit zgjedhor në Qarkun Tiranë. Ndryshimin e këtij vendimi si më poshtë: Shpalljen e kandidates fituese për deputet nga lista shumemërore të miratuar nga KQZ të subjektit zgjedhor në qarkun Tiranë, zonjës Ana Dajko”, tha Çefa.
/m.q/r.e/