E Diel, 1 Nëntor 2026

KE : Opozita shqiptare na premtoi zgjidhje, por nuk bëri asgjë

Çavusoglu: Drejtojuni Gjykatës Kushtetuese

Këshilli i Evropës i dërgon një tjetër mesazh të qartë opozitës, që për çështjen e kutive ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa i vë në dukje se protesta dhe greva e urisë ishte një papjekuri politike. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut Çavusoglu, e cilësoi dje bojkotin dhe grevën e PS-së si një qëndrim të papjekur të opozitës. Çavusoglu deklaroi se opozita shqiptare premtoi zgjidhje, por nuk bëri asgjë. "Opozita na premtoi zgjidhje, por nuk bëri asgjë. Mesazhi ynë ishte i qartë, opozita t'i drejtohet Kushtetueses dhe më pas gjykata t'i drejtohet Komisionit të Venecias", - theksoi ai. Duke iu referuar heqjes për vizat për shqiptarët, presidenti i PACE-s tha se vendimi është thelbësor drejt Bashkimit Evropian. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut Çavusoglu, ka bindjen e plotë se një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri është drejtimi në Gjykatën Kushtetuese. Ai bëri të qartë se ky propozim u bë që në muajin shkurt kur Komiteti Presidencial i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës së bashku me liderët e grupeve politike, ishte në Tiranë, por sipas tij, opozita nuk e pranoi. 

Ne i kërkuam në deklaratën tonë me shkrim opozitës, që ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias. Ne kemi një trup ligjor. Në atë kohë opozita nuk e bëri këtë gjë, por na premtoi për zgjidhje. Ajo ende ka pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Mendoj se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, mund ti drejtohet Komisionit te Venecias për opinion, - theksoi Mevlut Çavusoglu. Ai kërkon që politika në Shqipëri të marrë në konsideratë mesazhet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të siguruar stabilitet politik.
Unë mendoj se secili duhet të marrë në konsideratë këto mesazhe të dhëna nga Asambleja Parlamentare. Ne jemi përpjekur që problemi të zgjidhet. Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe progres. Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat për të përmbushur standardet e Asamblesë Parlamentare, që do ta aftësojnë në një të ardhme të afërt, të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, - vijoi Çavusoglu. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vuri në dukje se ishte shumë i lumtur kur Komisioni Evropian propozoi liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sipas tij, ky është një hap thelbësor dhe shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se Asambleja Parlamentare e mbështet plotësisht këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›