E Enjte, 5 Nëntor 2026

KE: Nuk kemi listë për vende të sigurta, por marrëveshja Shqipëri – Itali për emigrantët, sipas ligjeve të BE

“Bashkimi Evropian nuk ka asnjë listë të përbashkët për vendet që cilësohen të sigurta”. Deklarata vjen nga zëdhënësja e komisionit të BE-së për punët e brendshme, Anitta Hipper, ndërsa u pyet për vendimin e gjykatës në Romë që detyrojë 12 azilkërkuesit të vendosur përkohësisht në Gjadër të kthehen në Itali.  Ajo tha se zyrtarët e Brukselit janë në kontakt me autoritetet italiane në lidhje me këtë vendim.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vendimin në Itali dhe jemi në kontakt me autoritetet italiane; Për momentin nuk ka një listë evropiane të vendeve të treta të sigurta, vendet anëtare kanë lista kombëtare, por pritet që ne të punojmë për të.”, tha Hipper.

Zyrtarja e Brukselit ritheksoi se protokolli Itali-Shqipëri respekton rregullat dhe traktatet evropiane.

“Protokolli Itali-Shqipëri zbaton ligjin kombëtar italian. Por padyshim ajo zbaton gjithashtu edhe standardet e vendosura në mbrojtjen e azilkërkuesve dhe procedurat që parashikon ligji i BE-së. Ne po ashtu kemi thënë se të gjitha këto masa që autoritetet italiane po miratojnë duhet të jenë plotësisht në përputhje dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të komprometojë zbatimin e ligjit të komunitetit dhe traktateve të BE-së”, shtoi zëdhënësja e komisionit të BE.

Ndërkohë qeveria italiane po përgatit një dekret për “shpëtimin” e marrëveshjes me Tiranën.

Kryeministrja, Xhorxhia Meloni , tha se po punon për të miratuar menjëherë një ligj të ri për të kapërcyer vendimin e gjykatës që rrezikon të bllokojë marrëveshjen me Shqipërinë.

” Qeveria është e vendosur të çmontojë këto rrjete kriminale dhe të çrrënjosë trafikimin e paligjshëm të qenieve njerëzore. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të rivendosur një parim themelor: ju mund të hyni në Itali vetëm legalisht, duke ndjekur rregullat dhe procedurat e vendosura”. Shkroi ajo ne rrjetin social x.

Të premten, një gjykatë në Romë vendosi të kthejë në Itali 12 azilkërkuesit që mbaheshin në qendrën në Gjadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›