KFOR: Nuk kompensojmë dëmet materiale

Komandanti i KFOR-it ka vizituar sot portën kufitare 31 dhe fshatin Zupç, në të cilin vazhdon të qëndrojë një ndër barrikadat më të mëdha, që serbët kanë vendosur me qëllim pengimin e qarkullimit të lirë drejt pikës kufitare në Bërnjak.
Sipas zyrtarëve të KFOR-it, komandanti Erhard Drevs i ka paralajmëruar banorët, si dhe përfaqësuesin e Zubin Potokut, të cilin thuhet se e ka takuar rastësisht, se me rastin e heqjes së barrikadave mund të ketë dëmtime materiale.
“Komandanti i KFOR-it u ka thënë se është pak i frikësuar për kamionët e rinj në barrikada dhe se në rast të heqjes së bllokadave makinat e shtrenjta do të dëmtohen. Ai tashmë në mënyrë të hapur paralajmëroi se KFOR-i nuk do të kompensojë asnjë dëmtim të shkaktuar nga operacionet e heqjes së barrikadave”, citon zyrtari për informim i KFOR-it, Dan Harvi, komandantin Drevs.