KIEV – Blinken: Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës

TIRANË, 14 maj /ATSH/- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se presidenti rus Vladimir Putin duhet të paguajë për të rindërtuar atë që ka shkatërruar në Ukrainë, sipas BBC.
Duke folur në Kiev, Blinken tha se Uashingtoni ka fuqinë për të sekuestruar asetet ruse në SHBA dhe për t’i përdorur ato për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.
Ai tha gjithashtu se Ukraina po afrohet më shumë me NATO-n.
“Atë që Putini shkatërroi, Rusia duhet – duhet – të paguajë për të rindërtuar. Kjo është ajo që kërkon ligji ndërkombëtar. Dhe kjo është ajo që meriton populli ukrainas”, tha Blinken gjatë fjalimit të tij në Universitetin Politeknik të Kievit.
“Kongresi ynë na ka dhënë fuqinë për të sekuestruar asetet ruse në SHBA dhe ne synojmë ta zbatojmë atë”, tha ai.
Ai shtoi se grupi G7 – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja dhe SHBA-ja – mund të zhbllokojnë miliarda dollarë, dhe t’i dërgojnë një mesazh të fuqishëm Putinit se “koha nuk është në anën e tij”.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës dy vjet më parë, asetet shtetërore ruse në BE që vlerësohet të jenë në vlerën prej gati 211 miliardë euro (181 miliardë paund) janë ngrirë.
Blinken vizitoi sot kryeqytetin ukrainas pas një udhëtimi nëntë orësh me tren nga kufiri polak.
Vizita e tij vjen ndërsa vendi përpiqet të frenojë një inkursion të madh rus pranë qytetit të tij të dytë më të madh, Kharkiv.//a.i/