E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Putin dhe SHBA diskutojnë planin e ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

KIEV, 6 shtator /ATSH-AFP/ – Të dërguarit  amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner diskutuan mbrëme me presidentin rus Vladimir Putin “plane konkrete” për hapat e ardhshëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa u nisën sot drejt Kievit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Takimi në Moskë synonte të çonte përpara agjendën e presidentit amerikan Donald Trump për paqen.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, palët diskutuan hapa të mëtejshëm që pritet të bëhen publikë në javët e ardhshme.

Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, i përshkroi bisedimet si “jashtëzakonisht të sinqerta” dhe tha se pala amerikane paraqiti disa ide për rrugët e mundshme drejt një marrëveshjeje. Ai nuk dha hollësira të mëtejshme.

Ushakov tha gjithashtu se Moska mbetet “e bindur” se mund të arrijë objektivat e saj ushtarake, përfshirë marrjen e pjesës së mbetur të Ukrainës lindore.

Para bisedimeve, presidenti Putin tha se Rusia do të garantonte sigurinë e të dërguarëve amerikanë në Kiev.

“Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne për të garantuar sigurinë e procesit të negociatave dhe të ndërmjetësve si ju”, u tha ai Witkoffit dhe Kushnerit.

Presidenti Putin falënderoi gjithashtu presidentin amerikan Donald Trump për përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës, duke pranuar se procesi nuk është i thjeshtë.

PresidentiTrump tha të premten se të dërguarit e tij po sillnin një “propozim” për t’i dhënë fund luftimeve, por nuk dha hollësira.

Përpjekjet amerikane deri tani nuk kanë sjellë një marrëveshje paqeje.

Negociatat janë ndërlikuar edhe nga përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›