KIEV – Rusia sulmon Ukrainën me një numër rekord dronësh

KIEV, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Rusia sulmoi Ukrainën me një numër të paprecedentë dronësh, njoftoi Mbrojtja Ajrore e Ukrainës.
Sipas saj ”Moska sulmoi vendin me 188 dronë dhe katër raketa balistike Iskander-M gjatë natës”.
Portali ukrainas i lajmeve ”Ukrainska Pravda” raportoi se ky ishte numri më i madh i dronëve të lëshuar nga Rusia brenda një nate.
”Në kryeqytetin Kiev, sirenat e sulmit ajror ranë për më shumë se pesë orë”, sipas raporteve zyrtare.
Në mëngjes, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kishin rrëzuar 76 dronë në 17 rajone të vendit.
Fluturimet e 95 dronëve u ndërprenë, dyshohet se për shkak të kundërmasave elektronike.
Pesë dronë thuhet se kanë fluturuar në drejtim të Bjellorusisë fqinje.
Ukraina është mbrojtur nga pushtimi rus në shkallë të gjerë me ndihmën e Perëndimit për më shumë se dy vjet e gjysmë.
Moska sulmon vazhdimisht infrastrukturën energjetike të vendit./ /os/