KIEV – Sybiha: Mbi 1 400 afrikanë luftojnë krah forcave ruse në Ukrainë

KIEV, 7 nëntor /ATSH-DPA/ – Të paktën 1 436 qytetarë nga 36 vende afrikane po luftojnë aktualisht në anën e Rusisë kundër Ukrainës, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
Sybiha tha sot se Rusia rekruton afrikanë duke ofruar para’, por se disa janë mashtruar dhe nuk e kuptojnë se për çfarë po regjistrohen ose detyrohen ta bëjnë këtë nën presion.
Ministri, duke shkruar në X, premtoi se afrikanët e kapur nga Ukraina si robër lufte do të trajtohen sipas standardeve ndërkombëtare të së drejtës humanitare.
“Shumica e këtyre mercenarëve nuk mbijetojnë më shumë se një muaj ose merren robër nga Ukraina në misionin e tyre të parë luftarak”, tha ai.
“Unë i bëj thirrje të gjitha qeverive afrikane të lëshojnë deklarata publike duke i paralajmëruar qytetarët e tyre kundër bashkimit me ushtrinë pushtuese ruse”, shkroi ai.
Komentet e tij pasuan një telefonate midis presidentit te Kenias, William Ruto dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të cilën Ruto tha se kërkoi lirimin e shtetasve kenianë që mbahen si robër lufte.
Ruto tha se ai gjithashtu do të rriste ndërgjegjësimin midis të rinjve kenianë se vendosje të tilla te trupave janë të paligjshme dhe të rrezikshme./ a.jor.