E Hënë, 2 Nëntor 2026

KIEV – Ukraina godet tubacionin e karburantit pranë Moskës

KIEV, 1 nëntor /ATSH/ – Forcat ukrainase kanë goditur një tubacion të rëndësishëm karburanti në rajonin e Moskës, i cili furnizonte ushtrinë ruse, njoftuan sot shërbimet ushtarake  të Ukrainës (HUR), sipas AP.

Sulmi ndodhi në një kohë kur Rusia po vazhdon një fushatë të gjerë me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës energjetike ukrainase.

Operacioni u cilësua nga “HUR” si një “goditje serioze” ndaj logjistikës ushtarake të Rusisë. Sipas agjencisë, u synua tubacioni “Koltsevoy”, i cili shtrihet për rreth 400 kilometra dhe transporton benzinë, naftë dhe karburant avionësh nga rafineritë e Riazanit, Nizhni Novgorodit dhe Moskës drejt forcave të armatosura ruse.

Sipas “HUR”, sulmi në rajonin Ramensky shkatërroi të tre linjat e tubacionit.

Ky sistem kishte kapacitetin të transportonte deri në 3 milionë ton karburant avioni, 2,8 milionë ton naftë dhe 1,6 milionë ton benzinë në vit.

“Goditjet tona kanë pasur më shumë ndikim sesa sanksionet”, deklaroi kreu i “HUR”-it, Kirilo Budanov, duke iu referuar sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë që nga fillimi i pushtimit të plotë në shkurt 2022.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje dhe kufizime të energjisë në disa rajone. Kievi i ka cilësuar këto si një “terrorizëm sistematik energjetik”.

Sipas forcave ajrore ukrainase, gjatë natës Rusia lëshoi 223 dronë kundër Ukrainës, nga të cilët 206 u rrëzuan. Shtatëmbëdhjetë dronë arritën të godasin objektiva në shtatë rajone të vendit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›