E Enjte, 5 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Koreja e Veriut i dërgoi Rusisë ushtarë dhe armë

KIEV, 14 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Koreja e Veriut kishte dërguar ushtarë dhe armë për të mbështetur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës fqinje.

“Ne shohim një aleancë në rritje midis Rusisë dhe regjimeve si Koreja e Veriut. Nuk ka të bëjë më vetëm me transferimin e armëve. Në fakt ka të bëjë me transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut te forcat ushtarake okupuese”, theksoi udhëheqësi ukrainas në fjalimin e tij të mbrëmjes me video.

Nuk ka pasur asnjë konfirmim të pavarur se ushtarët e Koresë së Veriut po luftojnë së bashku me trupat ruse kundër Ukrainës.

Ditët e fundit, ka pasur raportime për vendosjen e ushtarëve të Koresë së Veriut në Ukrainën lindore.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për ushtarët e vrarë në aksion, nuk është vërtetuar përfundimisht nëse të gjithë të vdekurit ishin pjesëtarë të trupave të rregullta ruse apo jo.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW), një institut ushtarak amerikan, kohët e fundit raportoi se ‘’disa mijëra ushtarë të Koresë së Veriut kishin mbërritur në Rusi dhe po përgatiteshin për dislokim në Ukrain뒒.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mbështeti luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt 2022, me armë dhe municione.

Sipas një raporti të shërbimit inteligjent të Koresë së Jugut, Pheniani furnizon Rusinë me predha artilerie dhe raketa.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›