KIEV – Zelensky: Kthehen në Ukrainë 2000 fëmijë të mbajtur nga Rusia

KIEV, 17 shkurt /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se 2 000 fëmijë janë kthyer nga kontrolli rus.
Në një deklaratë në Telegram, Zelenskyy theksoi se çdo kthim erdhi si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme nga zyrtarët ukrainas, organizatat publike dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Sot kemi një rezultat të rëndësishëm – 2 000 fëmijë ukrainas u kthyen në shtëpi si pjesë e nismës “Kthejini Fëmijët mbrapa’’. Secili prej këtyre kthimeve u bë i mundur falë punës së përditshme të popullit tonë, organizatave publike dhe partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi ai.
Zelensky vuri në dukje se “mijëra” fëmijë mbeten në Rusi, duke u zotuar të vazhdojë përpjekjet për të sjellë çdo fëmijë në shtëpi.
Rusia mohon akuzat e Ukrainës për “rrëmbim” të fëmijëve.
Komisionerja Presidenciale për të Drejtat e Fëmijëve, Maria Lvova-Belova, ka thënë vazhdimisht se fëmijët janë evakuuar nga zonat e konfliktit për sigurinë e tyre, shpesh duke iu përgjigjur kërkesave nga familjet ose jetimoret në zonat e prekura nga konflikti.
Ajo gjithashtu ka akuzuar autoritetet ukrainase se refuzojnë të japin informacion në lidhje me fëmijët, të afërmit e të cilëve në Rusi kërkojnë t’i marrin mbrapsh. /os/