E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky përsërit thirrjen për një takim Putinin

KIEV, 7 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti sot se një takim ballë për ballë me homologun e tij rus Vladimir Putin ishte një “prioritet shumë i qartë”, një ditë pas një vizite nga një i dërguar i SHBA-së në Moskë.

“Ne kemi thënë vazhdimisht në Ukrainë se kërkimi i zgjidhjeve të vërteta mund të jetë vërtet efektiv në nivelin e lidershipit”, tha Zelensky në X.

Një takim në nivelin e lidershipit është një “prioritet shumë i qartë” dhe mund të “çojë në një paqe vërtet të qëndrueshme”, këmbënguli ai.

Në një përshpejtim të papritur diplomatik të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, të cilën Rusia e pushtoi në fillim të vitit 2022, presidenti i SHBA-së Donald Trump përmendi një takim “shumë shpejt” me Vladimir Putinin të mërkurën.

Sipas shtypit amerikan, Trump po shqyrton mundësinë e takimit personal me presidentin rus që javën e ardhshme, përpara një takimi trepalësh me Volodymyr Zelensky.

Kremlini njoftoi gjithashtu sot në mëngjes një takim Trump-Putin “në ditët në vijim”.
Këto deklarata vijnë menjëherë pas një vizite “produktive” të të dërguarit amerikan Steve Witkoff në Moskë, ku ai zhvilloi bisedime me Putinin.

Zelensky foli me Trump në telefon të mërkurën, pas vizitës së Steve Witkoff në Moskë.
Disa udhëheqës evropianë morën pjesë gjithashtu në këtë bisedë.

Udhëheqësi ukrainas tha sot në mëngjes se planifikonte të zhvillonte “disa” biseda gjatë gjithë ditës, duke përfshirë edhe me kancelarin gjerman Friedrich Merz, si dhe me zyrtarë francezë dhe italianë.

“Do të ketë gjithashtu komunikime në nivelin e këshilltarit të sigurisë kombëtare”, shtoi Zelensky, për të detyruar Rusinë të “ndërmarrë hapa konkretë për t’i dhënë fund agresionit të saj”./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›