KIEV – Zelensky takon senatorët amerikanë për të rritur presionin ndaj Moskës

KIEV, 30 maj /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky rikonfirmoi shpresën e tij për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj makinerisë së luftës së Rusisë gjatë – një takimi me senatorët amerikanë, Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal në Kiev.
“Jam mirënjohës për iniciativën – projektligji i sanksioneve dypartiake tashmë i mbështetur nga 82 senatorë”, postoi sot Zelensky në platformën X.
“Ne diskutuam për iniciativë dhe “leva” të tjera që mund të përdorim për ta detyruar Rusinë drejt arritjes së paqes. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë së bashku”, shtoi ai.
Zelensky akuzoi Moskën se po “tallet” me iniciativat diplomatike dhe po përdor negociatat si mbulesë për të përgatitur një ofensivë të re.
“Rusia po kryen sulme në qytetet dhe fshatrat ukrainase dhe po hedh poshtë të gjitha propozimet për një armëpushim. Kjo është arsyeja pse nevojitet presion shtesë,” tha Zelensky. ”
Presidenti falënderoi senatorët amerikanë, Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal për mbështetjen e dy kampeve të tyre politike.
“Është përfshirja e vërtetë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo fazë të negociatave që mund të garantojë një paqe të besueshme”, tha Zelensky.
Gjatë vizitës së tyre në kryeqytetin ukrainas, Graham dhe Blumenthal u takuan gjithashtu me kryeministrin Denys Shmyhal për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve tregtare.
Graham tha se pret që kjo marrëdhënie biznesi të përqendrohet në sektorin ushtarak.
Graham dhe Blumenthal kanë përgatitur një paketë sanksionesh të reja për Rusinë, e cila mund të mbështetet nga një shumicë të madhe dypartiake në Senatin e SHBA-së.
Aktualisht, është e paqartë nëse paketa e sanksioneve mund të mbështetet edhe nga një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve. //a.i/