KINEMA – Tom Hanks: Disa kompani po përdorin IA me emrin tim për të spekuluar

LOS ANXHELES, 30 gusht /ATSH/ – Aktori dhe regjizori hollivudian Tom Hanks ka lëshuar një paralajmërim për ndjekësit dhe fansat e tij që të jenë vigjilentë ndaj qasjes në inteligjencën artificiale, shkruan abcnews.go.com.
Aktori dy herë fitues i Oscar-it ndau një postim në profilin e tij Instagram duke iu drejtuar reklamave të krijuara nga inteligjenca artificiale që përdorin emrin dhe imazhin e tij për të promovuar produkte mjekësore, për të cilat aktori nuk është aspak në dijeni.
“Ka disa reklama në internet që përdorin në mënyrë të rreme emrin, imazhin dhe zërin tim për të promovuar kura dhe ilaçe mrekullibërëse”, shkroi Hanks.
“Këto reklama janë krijuar pa pëlqimin tim… janë mashtrime që përdorin inteligjencë artificiale”, shkroi aktori.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me këto postime dhe produktet që ato reklamojnë. Unë vuaj nga diabeti i tipit 2 dhe bashkëpunoj vetëm me mjekun tim të certifikuar në lidhje me trajtimin tim”, shton Hanks.
Hanks e përfundoi postimin me një mesazh të fortë: “Mos u mashtroni. Mos humbisni paratë tuaja”.
Kjo nuk është hera e parë që aktori i “Toy Story” flet kundër reklamave të krijuara nga IA që përdorin imazhin e tij për të promovuar produkte. /os/