KISHINEV – Moldavia dëbon diplomatin rus pas akuzave për spiunazh

KISHINEV, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Moldavia, e cila shtrihet midis Rumanisë dhe Ukrainës dhe po kërkon të bashkohet me Bashkimin Evropian, ka dëbuar një diplomat rus.
”Ambasadori rus, Oleg Vasnetsov, u thirr në Ministrinë e Jashtme të Moldavisë dhe u informua personalisht për vendimin”, njoftuan të enjten autoritetet në kryeqytetin Kishinev.
”Punonjësi i ambasadës ishte angazhuar në aktivitete të papajtueshme me statusin diplomatik”, thuhet në deklaratë.
Më parë, u ngritën pretendime se një diplomat rus kishte rekrutuar një punonjës të parlamentit moldav dhe një punonjës të shërbimit të rojes kufitare.
Sipas një deklarate nga zyra e prokurorit, të dy moldavët u arrestuan përkohësisht dhe u kryen kontrolle në zyrat e parlamentit.
”Ata janë nën hetim për tradhti të lartë dhe komplot kundër Moldavisë”, theksoi Ministria e Jashtme, duke shtuar se përpjekjet për rekrutim u bënë në vitin 2023./ /os/