KISHINJEV – Pistorius i premton Moldavisë mbështetje të vazhdueshme ushtarake mes luftës së Rusisë në Ukrainën fqinje

KISHINJEV, 31 maj /ATSH-DPA/- Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius siguroi sot Moldavinë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainën fqinje.
Ministri gjerman u prit me nderime ushtarake nga homologu i tij moldav Anatolie Nosatîi në Kishinjev.
“Së bashku do të kundërshtojmë përpjekjet ruse në luftën hibride për të destabilizuar vendet e tjera”, tha Pistorious.
Ai e përshkroi Moldavinë si pjesë të “familjes evropiane” dhe vlerësoi “hapat mbresëlënës” që ajo kishte ndërmarrë në rrugën drejt negociatave të pranimit në BE.
Pistorius tha se ndihma e mëtejshme e mbrojtjes për Moldavinë është në rrugë e sipër.
Autoritetet gjermane kanë nënshkruar kontrata për dorëzimin e 14 automjeteve të tjera të transportit Piranha-3H të prodhimit gjerman.
Dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore pritet të fillojë vitin e ardhshëm.
“Gjermania gjithashtu do të pajisë Moldavinë me dronë”, tha Pistorius.
Ai shtoi se do të sigurohen edhe pajisje mjekësore për të gjitha forcat e armatosura moldave, duke përfshirë pajisje të ndihmës së parë me vlerë pothuajse 1 milion euro (1,1 milion dollarë), të cilat do të furnizohen nga Gjermania për të forcuar gatishmërinë mbrojtëse. //a.i/