E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD depoziton animimin tek Komisioni Ligjeve

DEBATI

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka depozituar dje pranë Komisionit Parlamentar të Ligjeve dosjen për tre nenet e kundërshtuara fort në lidhje me administratën gjyqësore. Përfaqësues të KLD- së janë paraqitur dje pranë kuvendit për t’u vënë në dispozicion komisionit përkatës, të gjitha argumentet juridike se pse nuk duhet të miratohen tre nenet aq shumë të përfolura për administratën gjyqësore. Pas diskutimeve të shumta në KLD, ajo vendosi të dalë me një qëndrim të përbashkët duke vendosur që përfundimisht mos të pranohen tre nenet e paraqitura në projektligj nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Kjo lëvizje erdhi edhe nga fakti se Komisioni i Ligjeve, pas depozitimit të projektligjit nga ana e ekzekutivit, kërkoi nga KLD – ja të gjitha propozimet juridike që ajo mendon se mund të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, para se ta kalojë atë për miratim në kuvend. Nga ana e KLD kundërshtohen nenet 5 dhe 6, të cilat cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe integritetin e gjyqtarëve. Aty përcaktohen më shumë kompetenca për kancelarët në gjykatë ashtu edhe në fushën administrative të këtyre gjykatave, duke mënjanuar Kryetarin e Gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›