E Diel, 1 Nëntor 2026

KLGJ miraton pagën referuese bazë të gjyqtarëve, vendimi zbatohet nga 1 gushti

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) miratoi sot pagën referuese bazë të magjistratit (gjyqtar), në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi u mor në mbledhjen plenare të sotme, ku KLGJ miratoi vendimin  “Mbi miratimin e pagës referuese bazë të magjistratit (gjyqtar), sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas vendimit, paga referuese bazë për magjistratin (gjyqtar) përcaktohet duke iu referuar kategorisë së lartë drejtuese “Kategoria I”, klasa e pagës “Klasa 1-2”, në përputhje me përcaktimet e VKM-së nr. 325/2023, të ndryshuar.

Paga për pozicion përcaktohet në shumën 222 425 lekë, ndërsa shtesa e nivelit të kualifikimit për “Grupin e diplomës 1” është 14 000 lekë.

KLGJ përcakton se kjo pagë do të zbatohet për periudhën nga 1 gushti 2026 e në vazhdim.

Në vendim, Departamenti i Programimit dhe Administrimit të Buxhetit dhe njësitë përgjegjëse për buxhetin në gjykatat e të tre niveleve ngarkohen të kryejnë analizën e plotë të situatës buxhetore për shpenzimet e personelit për vitin 2026 dhe të fillojnë pagesën e pagave për periudhën nga 1 gushti 2026.

Gjithashtu, strukturat përgjegjëse duhet të përllogarisin efektin financiar të zbatimit të vendimit dhe, në rast nevoje për fonde shtesë për shpenzimet e personelit gjatë vitit 2026, të ndjekin procedurat për sigurimin e tyre.

KLGJ njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e sotme u shty shqyrtimi i projektvendimit për miratimin e dokumentit të kërkesave buxhetore për programin buxhetor afatmesëm 2027-2029 për sistemin gjyqësor, faza e dytë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›