E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH,kallzim penal 9 punonjësve dhe 2 nënkryetarëve të Bashkisë së Durrësit

Kontrolli i Lartë i Shtetit dërgon për kallzim penal dy Zv.Kryetarë të Bashkisë Durrës, 9 punonjës të Bashkisë Durrës dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Sarandë.

Në një deklaratë të KLSH-së thuhet se gjatë audit të bërë në bashkitë Durrës dhe Sarandë janë konstatuar një sërë shkeljesh të rënda ligjor gjatë peridhës 2003-2011.

Ja raporti i KLSH-së
Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka ushtruar auditim në Bashkinë Durrës, ku ka konstatuar shkelje të rënda ligjore në lidhje me zbatimin e procedurave të prokurimit në “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, zhvilluar në vitin 2011, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë dhe në prokurimin “Gjelbërimi në qytet”, zhvilluar në vitin 2012, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë. Në të dyja prokurimet, shkeljen kryesore e përbën fakti që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar operatorët ekonomikë (OE) me ofertë më të ulët dhe ka kualifikuar padrejtësisht OE me vlerë më të lartë, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik Bashkisë.

1. Skualifikimet/kualifikimet e kryera janë të papajtueshme me kërkesat specifike të tenderit, si dhe përcaktimet e parashikuara në nenin 1 “Objekti dhe qëllimi”, të ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar;

2. Operatorët ekonomikë të kualifikuar (në veçanti fituesit) kanë pasur mangësi serioze në dokumentacionin ligjor kualifikues, për të cilat duhej të ishin skualifikuar;

3. Operatorët ekonomikë të kualifikuar (në veçanti fituesit) nuk kanë plotësuar kushtet e veçanta të Kontratave, si automjete, çertifikata cilësie dhe autorizime shoqëruese, etj.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara, në prokurimin për “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë, mbajnë përgjegjësi Zh. V., ZvKryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dhe D.B., I.S., M.L. dhe K.T., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, të cilët gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë skualifikuar dhe kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë, veprime këto të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara në prokurimin për ” Gjelbërimi në qytet”, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë, mbajnë përgjegjësi A. Ç., ZvKryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe E. K. dhe K. T., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, të cilët gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë, veprime këto të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale te “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Po kështu, KLSH ka kryer kallëzim penal për Grupin e ngritur për “Kolaudimin dhe marrjen në dorëzim”, pasi nuk ka zbatuar e plotësuar procedurat ligjore në përmbushje të kritereve teknike të vendosura në kontratën e furnizimit me palma, sipas specifikimeve teknike të kërkuara nga autoriteti kontraktor në tenderin me objekt “Gjelbërimi në qytet”, duke i shkaktuar dëm ekonomik Bashkisë  në vlerën 21,960,000 lekë. Për këtë mbajnë përgjegjësi z. E.L, V.Sh., S.Gj. dhe A.Gj, anëtarë të Grupit të Kolaudimit.

Përsa më sipër, për të gjithë këta drejtues e punonjës, në të trija këto raste, KLSH ka kryer kallzim penal në Prokurori.

Gjithashtu, nga auditimi, KLSH konstatoi shkelje të akteve ligjore në fuqi për llogaritjen dhe arkëtimin e taksave vendore, duke i shkaktuar të ardhura të munguara Buxhetit të Bashkisë në vlerën 110,952,000 lekë.

Nuk janë zbatuar procedurat ligjore ndaj 1,026 subjekteve debitorë të Bashkisë për mospagim detyrimesh për taksat vendore, duke krijuar mosarkëtimin e detyrimeve të llogaritura me vlerën 100,938,000 lekë për vitet 2011-2012, si dhe nuk janë zbatuar procedurat ligjore të Ligjit Nr. 9780 dt. 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit”, për 20 subjekte, në vlerën 31,200,000 lekë.

Mbështetur në standardet ndërkombëtare të auditimit dhe në rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të institucionit, grupi i punës i KLSH realizoi kontrollin e sigurimit të cilësisë, për auditimin e kryer në Bashkinë Sarandë, të përfunduar në Dhjetor 2012. Referuar numrit të konsiderueshëm të shkeljeve të dispozitave ligjore në fushën e urbanistikës dhe shitblerjes së trojeve, me pasoja social-ekonomike dhe mjedisore, në vijim të kallëzimit të bërë nga institucioni në dhjetor 2012 për 3 ish-Drejtorë të Drejtorisë së Urbanistikës të Bashkisë Sarandë, 2 juristë të Drejtorisë së  Urbanistikës dhe ish-Kryeinspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor, KLSH vendosi të kallëzojë në Prokurori dhe ish Kryetarin e Bashkisë Sarandë E. GJ, në detyrë gjatë viteve 2003-2011, i cili gjatë përmbushjes së detyrës funksionale, ka kryer veprime apo mosveprime të kundërligjshme të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Shkeljet e dispozitave ligjore konsistojnë në shitjen e trojeve dhe dhënien e lejeve të sheshit dhe të ndërtimit nga Bashkia Sarandë.

Ndër shkeljet më kryesore të kryera, përmendim faktin që për periudhën kohore 2006-2011, nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë(KRRT) Sarandë, brenda vijës kufizuese të qendrës së qytetit janë dhënë 129 leje ndërtimi, në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 21.08.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”. Po ashtu, në kundërshtim me nenet 21, 50 dhe 53 të Ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” i ndryshuar dhe VKM nr 722, datë 19.11.1998 “Rregullore e urbanistikës”, Bashkia Sarandë, në zbardhjen e Formularëve nr. 2 e nr. 4, ka shtuar për 17 raste, më shumë kate se Vendimet e KRRT-së, të protokolluara në procesverbalet  espektove të mbledhjeve të KRRT së Bashkisë. Për 68 dosje të audituara për periudhën 2006-2011, në 38 raste janë konstatuar një sërë shkeljesh në lidhje me studimet urbanistike të miratuara, veprime këto në kundërshtim me Ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën” i ndryshuar, dhe me VKM nr. 722, datë 19.11.1998. Janë konstatuar shitje trojesh bazuar në vendime të kundraligjshme të Këshillit Bashkiak, pa patur asnjë tagër ligjor mbi pronësinë, në kundërshtim me Nenet 197 dhe 198 të Kodit Civil, dhe pa qenë të rregjistruara këto troje në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Patundshme Sarandë, etj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›