E Diel, 1 Nëntor 2026

KOKSH: Shqipëria mbështet Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ishte pjesë e mbledhjes solemne për konstituimin e Komitetit Organizator të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, të zhvilluar në Prishtinë nën drejtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Takimi shënoi nisjen zyrtare të përgatitjeve për organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha shumëdisiplinore sportive në rajon, që do të bashkojë institucionet, lëvizjen olimpike dhe partnerët ndërkombëtarë në një vizion të përbashkët.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i shoqëruar nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, rikonfirmoi mbështetjen e plotë të KOKSH për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe institucionet e Kosovës gjatë të gjitha fazave të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.

Në fjalën e tij, Ylli vlerësoi rëndësinë historike të organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë, duke theksuar se Shqipëria do të jetë një partner i palëkundur në këtë projekt.

Një rol të veçantë do të ketë edhe Shqipëria në organizimin e garave të sporteve ujore, të cilat do të zhvillohen në Durrës, duke e kthyer qytetin bregdetar në një nga qendrat pritëse të aktivitetit.

Në mbledhje morën pjesë edhe kryetari i bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Besim Aliti, si dhe nënkryetarët Milaim Kelmendi dhe Arben Fetahu.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një moment me rëndësi për sportin shqiptar dhe kosovar, duke krijuar mundësi për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, promovimin e sportit dhe rritjen e kapaciteteve organizative.

Përfshirja e Shqipërisë, veçanërisht përmes zhvillimit të garave të sporteve ujore në Durrës, pritet të kontribuojë edhe në promovimin e qytetit dhe potencialeve të tij sportive e turistike.

KOKSH theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë partnere e Kosovës në këtë rrugëtim, me synim që Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” të shndërrohen në një sukses të përbashkët të sportit shqiptar dhe kosovar.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›