E Diel, 1 Nëntor 2026

KOLUMBI – Të paktën 14 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari

RIO DE ZHANEIRO, 20 tetor /ATSH-DPA/- Të paktën 14 persona humbën jetën dje nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari në jugperëndim të Kolumbisë.

Aksidenti ndodhi në një zonë rurale të bashkisë Santa Bárbara de Iscuandé, në bregdetin e Oqeanit Paqësor, njësia administrative Nariño, njoftuan autoritetet rajonale.

“Të paktën shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur”, deklaroi Álex González, sekretar për paqen dhe të drejtat e njeriut në Nariño.

Mediat lokale raportuan se më shumë se 40 persona po punonin në minierë kur ndodhi shembja. Fillimisht, nuk është bërë i ditur shkaku i saktë i rrëshqitjes së dheut.

González vuri në dukje se veprimtaria minerare në rajonin e Paqësorit në Kolumbi përgjithësisht nuk kontrollohet dhe rregullohet siç duhet.

Nxjerrja e arit është një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë kolumbianë.

Megjithatë, ky metal i çmuar nxirret shpesh pa lejet e nevojshme dhe pa masa sigurie, duke shkaktuar aksidente të përsëritura me viktima.

Sipas një raporti të vitit 2025, të hartuar nga qeveria kolumbiane dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), tri të katërtat e zonave të evidentuara ku nxirret ari nga sedimentet e lumenjve nuk ishin të autorizuara për këtë veprimtari.

Në gusht, 13 persona humbën jetën në një aksident të ngjashëm në një minierë në bashkinë Policarpa, gjithashtu në njësinë administrative Nariño. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›