E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – 10 vjet pas sulmit xhihadist ”Charlie Hebdo” dëshiron sërish të qeshë

PARIS, 7 janar /ATSH-AFP/ – Dëshira për të qeshur nuk do të zhduket kurrë, siguron revista satirike franceze ”Charlie Hebdo”, 10 vjet pas sulmit xhihadist që shkatërroi një pjesë të redaksisë së saj, në një numër special që fokusohet veçanërisht te qeshja e Zotit, ndërsa disa ceremoni përkujtimore janë planifikuar për sot.

Në këtë numër special, gazeta satirike e quan veten “të pathyeshme!”, ku në një vizatim në faqen e parë, një lexues i ulur mbi një pushkë, lexon i kënaqur këtë ”Charlie Hebdo” prej 32 faqesh.

Krahas tij, në stendat e gazetave, disa gazeta të përditshme i kushtuan faqet e tyre të para 10-vjetorit të sulmit.

“Liberte, Liberte Charlie!” Kështu titullon ”Libération”, ndërsa ”Le Figaro” është e shqetësuar për të parë Francën “ende nën kërcënimin islamik”, 10 vjet më vonë.

”Kërcënimi terrorist nuk ka qenë kurrë kaq i pranishëm”, thotë ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau në faqen e parë të ”Le Parisien”, ndërsa hija e një lapsi dhe një gome e shpuar nga një plumb vizaton një ”10” në faqen e parë të ”La Croix”.

Në editorialin e këtij numri special të ”Charlie Hebdo”, drejtori i saj Riss shprehet se “satira është një virtyt që na ka ndihmuar të kalojmë këto vite tragjike. Nëse duam të qeshim është sepse duam të jetojmë. E qeshura, ironia, karikaturat janë manifestime të optimizmit, çfarëdo që të ndodhë, qoftë dramatike apo e lumtur, dëshira për të qeshur nuk do të zhduket kurrë”.

Ai kujton 10 vitet e fundit të shënuara, sipas tij, nga një ”situatë gjeopolitike” e cila është ”përkeqësuar”.

“Sot, vlerat e ‘Charlie Hebdo’, të tilla si humori, satira, liria e shprehjes, ekologjia, laicizmi, feminizmi për të përmendur vetëm disa, nuk janë sfiduar kurrë kaq shumë. Ndoshta sepse është vetë demokracia ajo që e gjen veten të kërcënuar nga forcat e përtëritura obskurantiste”, shpjegon ai.

Më 7 janar 2015, 12 persona u vranë në sulmin ndaj të përjavshmes nga vëllezërit Kouachi, francezë që ishin betuar për besnikëri ndaj Al-Kaedës.

Midis tyre, tetë anëtarë të redaksisë, dizajnerët Cabu, Charb, Honoré, Tignous dhe Wolinski, psikoanalistja Elsa Cayat, ekonomisti Bernard Maris dhe korrektori Mustapha Ourrad.

– Vizatoni zemërimin tuaj –

”Charlie Hebdo” kishte qenë objektiv i kërcënimeve xhihadiste që nga publikimi i karikaturave të profetit Muhamed në vitin 2006.

Revista, linja antiklerikale e së cilës nuk ka ndryshuar kurrë, filloi një konkurs ndërkombëtar në fund të vitit 2024 midis karikaturistëve të shtypit me temën #Të qeshim me Zotin.

Ndër 350 vizatimet e marra, afro 40, “më të efektshmet dhe më të arriturat”, janë botuar në numrin e përvjetorit.

Midis tyre, njëri përfaqëson një Krisht në kryq duke filmuar veten me telefon.

Revista boton gjithashtu rezultatet e një studimi të Ifop për fondacionin ”Jean-Jaurès”, të kryer në qershor 2024, duke treguar se 76% e francezëve besojnë se “liria e shprehjes është një e drejtë themelore” dhe se “liria e karikaturës është një prej tyre”.

Rreth 62% e të anketuarve thonë se janë në favor të ”së drejtës për të kritikuar në mënyrë të egër një besim, një simbol apo një dogmë fetare”.

– “Unë jam Charlie” –

Ky anketim u krye me anë të një pyetësori online nga data 31 maj deri më 1 qershor me një kampion prej 1 000 personash përfaqësues të popullsisë 18 vjeç e lart.

Sulmet e 7 janarit 2015 shkaktuan emocione në mbarë botën dhe lindën një slogan mbështetjeje: “Je suis Charlie”.

Më 11 janar, demonstratat mblodhën së bashku rreth katër milionë njerëz në të gjithë Francën, me shumë krerë shtetesh dhe qeverish në procesionin parizian.

Dje, presidenti Emmanuel Macron bëri thirrje që lufta kundër terrorizmit të vazhdojë pa pushim.

Ai theksoi se rreziku ”mbetet i rëndësishëm në shoqëritë tona”, që ”nënkupton se nuk ka relaksim dhe vigjilencë kolektive”.

Përkujtimet do të zhvillohen sot në prani të presidentit, disa ministrave dhe kryetarit të bashkisë së Parisit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›