E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – BE kërkon ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në LM

BRUKSEL, 20 mars /ATSH-DPA/- Liderët e Bashkimit Evropian kanë kërkuar ndalimin e sulmeve ndaj objekteve të energjisë dhe ujit në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të ndryshme në rajon dhe pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të goditur fushën e madhe të gazit në Iran.

“BE bën thirrje për një moratorium ndaj sulmeve kundër objekteve të energjisë dhe ujit”,  thanë liderët evropianë në një deklaratë të përbashkët.

“Zhvillimet në Iran dhe në rajonin më të gjerë kërcënojnë sigurinë rajonale dhe globale”, thuhet në deklaratë.

Liderët bënë thirrje për shmangien e përshkallëzimit dhe vetëkontroll maksimal, mbrojtjen e civilëve dhe të infrastrukturës civile, si dhe respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar nga të gjitha palët.

Duke mbërritur në samitin e Brukselit, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se BE-ja do të nxiste uljen e tensioneve dhe rikthimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme.

“Luftimet duhet të ndalen, të paktën për disa ditë, për t’i dhënë një shans negociatave”, tha Macron, i cili më herët kërkoi ndalimin e sulmeve ndaj objekteve të naftës dhe gazit në rajon.

Pas një sulmi izraelit ndaj fushës së gazit natyror “South Pars” në Iran, Irani goditi disa objekte energjetike në rajon, përfshirë edhe objektet kryesore të gazit në Katar.

Duke reaguar ndaj këtyre sulmeve hakmarrëse, Trump kërcënoi se do të shkatërronte në masë, të gjithë fushën “South Pars”, fushën më të madhe të gazit në botë, e cila ndahet midis Iranit dhe Katarit, nëse Teherani sulmonte sërish Katarin.

“Kemi nevojë për një dalje nga kjo luftë, jo për eskalim”, theksoi diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.

Vendet e BE-së përballë rritjes së çmimeve të karburantit

Sulmet e reja ndaj objekteve energjetike kanë rritur çmimet e karburantit, duke vazhduar valën që nisi nga sulmet ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit rreth tre javë më parë.

Shtetet anëtare të BE-së janë ndarë mbi mënyrën se si të lehtësojnë barrën e faturave të larta të energjisë për konsumatorët dhe bizneset.

Në samit, liderët urdhëruan Komisionin Evropian të paraqeste masa të përkohshme të synuara – për të adresuar rritjet e fundit të çmimeve të importeve të karburanteve fosile, si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme, para rifillimit të diskutimeve.

Para samitit, pesë vende të BE-së, përfshirë Spanjën dhe Suedinë, kërkuan shtimin e energjive të rinovueshme si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.

Të tjerë, si Italia dhe Polonia, kanë kërkuar reforma në sistemin e çmimit të karbonit të BE-së, Sistemi i Tregtimit të Emetimeve (ETS).

Sipas ETS, bizneset në sektorët si prodhimi i energjisë, industria dhe aviacioni duhet të marrin leje për emetimet e gazrave serrë.

Sistemi mbulon aktualisht rreth 40% të emetimeve totale të BE-së.

Kritikët thonë se çmimet e larta të energjisë dhe kostot e emetimeve po vendosin një barrë të rëndë mbi industritë që konsumojnë shumë energji.

Kohët e fundit, Gjermania mbështeti rregullimet, duke përfshirë edhe kufizimet mbi sasinë e gazit serrë që një impiant industrial mund të lëshojë për t’u kualifikuar për leje falas.

Komisioni pritet të prezantojë një vlerësim të këtij mekanizmi në korrik.

Çmimet e larta të energjisë dhe ndikimi i tyre mbi konkurrueshmërinë e BE-së kanë qenë një diskutimet e bllokut edhe para fillimit të luftës në Iran, duke nxitur thirrje për lehtësimin e burokracisë dhe investime të mëdha.

Mosmarrëveshje për Ngushticën e Hormuzit

Takimi i Brukselit u zhvillua ndërkohë që kishte një mosmarrëveshje mes Trump dhe aleatëve evropianë mbi ndihmën ushtarake për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, një rrugë kryesore detare dhe e vetmja nga Gjiri drejt detit të hapur, është bllokuar në praktikë nga Irani – si hakmarrje ndaj sulmeve ajrore amerikano-izraelite, duke rrezikuar anijet tregtare në rajon. Ky bllokim ka përshkallëzuar rritjen e çmimeve të karburantit.

Trump ka kërcënuar disa herë anëtarët e NATO-s për mungesën e gatishmërisë së tyre për të ndihmuar në sigurimin e këtij kalimi, duke sugjeruar se NATO mund të ketë një “të ardhme shumë të keqe.”

Megjithatë, aleatët evropianë përjashtuan pjesëmarrjen në një operacion të mundshëm ushtarak për sigurimin e transportit të karburanteve.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz përsëriti qëndrimin se Gjermania do të përfshihej vetëm kur armët “të uleshin” dhe me një urdhër ndërkombëtar.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu optimizëm se mosmarrëveshja do të zgjidhej.

“Jam i sigurt se aleatët, si gjithmonë, do të bëjnë gjithçka për të mbështetur interesat tona të përbashkëta”, tha Rutte për gazetarët.

“Të gjithë bien dakord se kjo ngushticë nuk mund të qëndrojë e mbyllur. Duhet të hapet sa më shpejt të jetë e mundur – pasi është jetike për ekonominë botërore”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›