KOMENT – Meloni: Kina një bashkëbiseduese e rëndësishme në menaxhimin e tensioneve globale

PEKIN, 29 korrik /ATSH/ – Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni deklaroi se Kina është ”një bashkëbiseduese e rëndësishme” në menaxhimin e tensioneve globale, teksa takoi presidentin Xi Jinping në Pekin, sipas BBC.
Presidenti Xi nga ana e tij përshëndeti lidhjet “miqësore të krijuara prej kohësh”, si dhe “tolerancën, besimin reciprok dhe respektin e ndërsjellë” midis Pekinit dhe Romës.
Gjatë udhëtimit të saj të parë në Kinë që nga marrja e detyrës, Meloni dhe kryeministri kinez Li Qiang u takuan të dielën dhe nënshkruan një plan trevjeçar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik.
Vizita pesëditore vjen pasi Meloni vitin e kaluar hoqi vendin e saj nga iniciativa e presidentit Xi Jinping, ”Belt and Road” (BRI).
Në atë kohë, Roma tha se skema masive e investimeve kineze synonte të nxiste tregtinë dypalëshe.
Meloni tha se vizita e saj në Kinë ishte një përpjekje për të “rifilluar” marrëdhënien.
Pas bisedimeve me presidentin Xi, Meloni tha se “ka pasiguri në rritje në nivel ndërkombëtar dhe mendoj se Kina është në mënyrë të pashmangshme një bashkëbisedues shumë i rëndësishëm për të adresuar të gjitha këto dinamika”.
Ajo tha se të dy vendet duhet të “mendojnë së bashku” për të qëndruar të qëndrueshme dhe për të garantuar paqen.
Italia ishte i vetmi vend i madh perëndimor që pranoi BRI, një nga projektet më ambicioze të Kinës për tregtinë dhe infrastrukturën.
Masa u kritikua ashpër në atë kohë nga SHBA dhe disa vende të tjera të mëdha perëndimore.
Që nga ardhja në detyrë në vitin 2022, Meloni është përpjekur të udhëheqë një politikë të jashtme më pro perëndimore dhe pro NATO-s sesa paraardhësit e saj.
Para se të tërhiqej nga BRI, Meloni e kishte përshkruar vendimin e ish-qeverisë për t’u bashkuar me të si “një gabim serioz”.
”Çdo vend që është anëtar [BRI] e di se Kina është e para dhe, e dyta, nuk mendoj se Italia si anëtare e G7 donte të grupohej së bashku me Rusinë, Pakistanin apo Sri Lankën”, tha Alicia Garcia-Herrero, kryeekonomiste për rajonin e Azisë Paqësorit në bankën e investimeve ”Natixis”.
”Pa anëtarësim në BRI, Meloni po vjen në Kinë në një nivel tjetër angazhimi – më pak si vasale dhe më shumë si partnere”, shtoi ajo.
Nën drejtimin e Melonit, Italia ka lëvizur për të bllokuar një kompani shtetërore kineze që të marrë kontrollin e gjigantit të prodhimit të gomave ”Pirelli”.
Roma ka mbështetur gjithashtu një lëvizje të fundit nga Komisioni Evropian për të vendosur tarifa deri në 37,6% për automjetet elektrike të importuara nga Kina.
Tregtia midis dy vendeve arriti në 66,8 miliardë euro vitin e kaluar, duke e bërë Kinën partneren më të madhe tregtare të Italisë jashtë BE-së, pas SHBA-së./ a.jor.