KOMENT – Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran, Trump paralajmëron hakmarrje ndaj Teheranit

UASHINGTON, 20 korrik /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Irani do ta “paguajë” shtrenjtë vrasjen e ushtarëve amerikanë, pasi disa pjesëtarë të forcave amerikane u vranë gjatë fundjavës, në kuadër të luftës së SHBA-së kundër Iranit, sipas “Reuters”.
Kjo shënon një nga ditët më vdekjeprurëse për forcat amerikane, që prej nisjes së konfliktit në shkurt.
Numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në këtë luftë ka shkuar në 17, ndërsa mbetjet mortore të një tjetër ushtaraku po i nënshtrohen verifikimit.
Dy prej viktimave u konfirmuan se u vranë gjatë një sulmi iranian ndaj personelit amerikan në Jordani.
“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, do të paguajë shumëfish për atë vrasje”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Ai tha se urdhri i tij, i është përcjellë sekretarit amerikan të Luftës, Pete Hegseth, dhe kryetarit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, Daniel Caine.
Në mars, gjashtë ushtarë amerikanë u vranë pasi një dron iranian goditi një bazë ushtarake amerikane në Port Shuaiba, në Kuvajt.
Deri tani, rreth 430 trupa amerikane janë plagosur gjatë konfliktit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump do të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të ushtarakëve të vrarë, e cila do të mbahet në bazën ajrore të forcave amerikane, në Dover
Nuk është e qartë se çfarë përmban konkretisht “urdhri” që Trump i ka dhënë Pentagonit.
Megjithatë, një zyrtar amerikan tha se, para sulmit vdekjeprurës në Jordani, SHBA-ja kishte nisur tashmë zhvendosjen e avionëve ushtarakë shtesë, përfshirë avionë luftarakë dhe avionë cisternë furnizimi me karburant, drejt Lindjes së Mesme.
Joe Kent, i cili drejtoi Qendrën Kombëtare për Kundërterrorizmin deri në mars, paralajmëroi se përplasjet e vazhdueshme mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, rrezikojnë një përshkallëzim të mëtejshëm.
“Duhet t’i nxjerrim trupat tona tani, përpara se të pësojmë një sulm me viktima masive. Duhet të dalim nga kurthi i përshkallëzimit”, shkroi Kent në platformën X.
Ai dha dorëheqjen pas kundërshtimeve ndaj luftës së Trump me Iranin.
Gjatë javës së fundit, Trump ka kërcënuar se do të zgjerojë objektivat e sulmeve në Iran, duke përfshirë impiantet energjetike dhe urat, dërgimin e forcave tokësore, për të marrë nën kontroll ishullin iranian Kharg, një qendër e rëndësishme nafte, si dhe bombardimin e një objekti bërthamor të lidhur me Iranin, të vendosur thellë nën tokë dhe të njohur si “Mali i Kazmës”.
Sipas burimeve, valët e fundit të sulmeve amerikane ndaj Iranit, të cilat synojnë të hapin rrugën përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë goditur gjithashtu kapacitete ushtarake iraniane, që SHBA-ja kërkon t’i shkatërrojë përpara operacioneve më të ndërlikuara kundër Iranit.
Lufta, përfshirë edhe kostot e saj financiare, pritet të jetë nesër në qendër të seancës dëgjimore në Kongres, ku do të marrin pjesë sekretari i Luftës Pete Hegseth dhe gjenerali Daniel Caine.
Premtimi i Donald Trump për hakmarrje ndaj Iranit vjen në një moment kur, përplasja mes dy vendeve rrezikon të hyjë në një fazë edhe më të rrezikshme.
Ndërsa Uashingtoni kërkon të tregojë forcë pas humbjeve të rënda të trupave amerikane, çdo kundërpërgjigje e re ushtarake mund të ushqejë një cikël sulmesh dhe kundërsulmesh me pasoja të paparashikueshme për Lindjen e Mesme.
Pyetja kryesore mbetet nëse administrata amerikane do të zgjedhë një goditje të kufizuar ndaj Iranit apo nëse konflikti do të zgjerohet në një përballje më të madhe rajonale.
Ky zhvillim e vendos Trump përballë një prej sfidave më të mëdha të politikës së tij të jashtme: të reagojë ndaj sulmeve kundër trupave amerikane, pa e zhytur SHBA-në në një luftë të gjatë dhe me kosto të lartë. //a.i/