E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – Pse ekspertët rusë të armëve vizituan Iranin?

Zyrtarë të lartë rusë për raketa dhe specialistë të mbrojtjes ajrore udhëtuan për në Iran vitin e kaluar, teksa Republika Islamike zgjeroi bashkëpunimin e saj ushtarak me Moskën.

Reuters, që fillimisht raportoi për këtë çështje, tha se shtatë ekspertë rusë vizituan Iranin më 24 prill dhe 17 shtator të vitit 2024.

Vizitat u realizuan në një kohë kritike për Iranin, që u përfshi në një konflikt me armikun e kamotshëm, Izraelin, dhe dy palët kryen sulme ushtarake ndaj njëra-tjetrës në prill dhe tetor.

As zyrtarët iranianë e as ata rusë nuk kanë komentuar për këtë raportim dhe nuk ka një shpjegim zyrtar për këto udhëtime. Analistët thanë se megjithëse vizitat janë të rëndësishme, ato nuk janë befasuese.

“Ka qenë një proces i ndërsjellë i mësimit në përplasjen mes Iranit dhe Izraelit, i cili po ashtu u ka siguruar rusëve të dhëna mbi mbrojtjen ajrore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nicole Grajewski, hulumtuese në Programin për Politika Bërthamore në Carnegie.

A mund që një marrëveshje SHBA-Rusi të dëmtojë lidhjet Teheran-Moskë?

Vizitat në Iran të ekspertëve ushtarakë rusë paraqesin një lloj përfitimi që Teherani mund ta humbasë nëse Moska dhe Uashingtoni arrijnë një marrëveshje që do t’i kërkonte Rusisë të zvogëlonte bashkëpunimin e saj në fushën e mbrojtjes me Republikën Islamike.

Që kur zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe Rusisë u takuan në Riad muajin e kaluar për të normalizuar raportet dhe për t’i dhënë fund luftën në Ukrainë, ka pasur spekulime se Kremlini mund të heqë dorë nga Irani për të përfituar një marrëveshje më të mirë.

Grajewski argumentoi se Irani dhe Rusia nuk kanë një raport të fortë ekonomik, kështu që financiarisht Teherani nuk do të vuante shumë. Por, ndikimi mund të ndihet në fusha të tjera.

“Nëse Rusia e braktisë plotësisht Iranin, Irani do të vuante kryesisht në fushën e përmirësimit të kapaciteteve të tij ushtarake konvencionale”, tha ajo. “Rusët kanë qenë të thelbësorë për këtë çështje, si për prodhimin brenda vendit të armëve ruse, ashtu edhe për transferimin e armëve”.

Irani ka ofruar për Rusinë dronë të lirë, por efektivë, të cilët janë përdorur kundër Ukrainës gjatë luftës, dhe qeveritë perëndimore kanë akuzuar Teheranin se i ka ofruar Moskës raketa balistike për të ndihmuar në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës që Rusia nisi më 2022.

Nadimi i Institutit i Uashingtonit theksoi se mbështetja e Rusisë në pajisjet iraniane nuk ishte për shkak të mungesës së teknologjisë, por për shkak të kohës, sepse dronët iranianë janë të lirë dhe mund të prodhohen shpejt.

Megjithatë, analistët thanë se ka pak gjasa që ndonjë marrëveshje mes Kremlinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, do të rezultonte në ndryshim afatgjatë në bashkëpunimin ushtarak midis Rusisë dhe Iranit.

“Gjëja kryesore që duhet të merret parasysh është se raporti Rusi-Iran ka shumë shtresa që mund të qëndrojnë edhe nëse ka një marrëveshje SHBA-Rusi”, tha Grajewski.

Ajo shtoi se “bashkëpunimi mes dy ushtrive është aq i thellë” sa që këmbimi i teknologjisë dhe i njohurive mund të vazhdojë, dhe nëse vetëm një pjesë e Qeverisë ruse mbetet e angazhuar me Iranin, shkruan REL.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›