E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – Qeveria siriane bie pas sundimit 50-vjeçar të familjes Assad

BEJRUT, 8 dhjetor /ATSH/ – Qeveria siriane ra sot herët në mëngjes, në një fund të habitshëm të sundimit 50-vjeçar të familjes Assad, pas një ofensive të papritur rebele që shpërtheu në territorin e kontrolluar nga qeveria dhe hyri në kryeqytet vetëm pas 10 ditëve, sipas AP.

Televizioni shtetëror sirian transmetoi një video deklaratë nga një grup burrash që thanë se ”presidenti Bashar Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit në burgje janë liruar”.

Njeriu që lexoi deklaratën tha se Dhoma e Operacioneve për të Pushtuar Damaskun, një grup opozitar, u bëri thirrje të gjithë luftëtarëve dhe qytetarëve të opozitës që të ruajnë institucionet shtetërore të “shtetit të lirë sirian”.

Deklarata doli disa orë pasi kreu i një monitoruesi të luftës së opozitës siriane tha se ”Assad ishte larguar nga vendi për në një vend të panjohur duke ikur përpara kryengritësve që thanë se kishin hyrë në Damask pas përparimit jashtëzakonisht të shpejtë në të gjithë vendin”.

Kryeministri sirian, Mohammed Ghazi Jalali tha se qeveria ishte e gatshme t’i “zgjatë dorën” opozitës dhe t’ia kalojë funksionet e saj një qeverie kalimtare.

“Unë jam në shtëpinë time dhe nuk jam larguar dhe kjo për shkak të përkatësisë sime në këtë vend”, tha Jalili në një video deklaratë.

Ai tha se do të shkonte në zyrën e tij për të vazhduar punën në mëngjes dhe u bëri thirrje qytetarëve sirianë që të mos dëmtojnë pronën publike.

Ai nuk tha se Assad kishte ikur.

Rami Abdurrahman i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut tha për Associated Press se Assad mori një fluturim të dielën nga Damasku.

Televizioni shtetëror në Iran, mbështetësi kryesor i Asadit në vitet e luftës në Siri, raportoi se Assad ishte larguar nga kryeqyteti.

Ai citoi rrjetin e lajmeve Al Jazeera të Katarit për informacionin dhe nuk dha detaje.

Nuk kishte asnjë deklaratë të menjëhershme nga qeveria siriane.

Ndërsa dita agoi mbi Damask, turmat u mblodhën për t’u lutur në xhamitë e qytetit dhe për të festuar në sheshe, duke brohoritur “Zoti është i madh”.

Njerëzit gjithashtu brohorisnin slogane kundër Asadit dhe u binin borive të makinave.

Në disa zona u dëgjuan të shtëna festive.

Ishte hera e parë që forcat opozitare kishin arritur në Damask që nga viti 2018, kur trupat siriane rimorën zonat në periferi të kryeqytetit pas një rrethimi shumëvjeçar.

Radioja pro qeveritare ”Sham FM” raportoi se aeroporti i Damaskut ishte evakuuar dhe të gjitha fluturimet ishin ndalur.

Kryengritësit njoftuan gjithashtu se kishin hyrë në burgun famëkeq ushtarak Saydnaya në veri të kryeqytetit dhe çliruan të burgosurit e tyre atje.

Një natë më parë, forcat opozitare morën qytetin qendror të Homsit, i treti më i madh në Siri, pasi forcat qeveritare e braktisën atë.

Qyteti qëndron në një kryqëzim të rëndësishëm midis Damaskut, kryeqytetit, dhe provincave bregdetare të Sirisë, Latakia dhe Tartus – baza e mbështetjes së liderit sirian dhe zona e një baze strategjike detare ruse.

Rebelët kishin pushtuar tashmë qytetet e Aleppos dhe Hamës, si dhe pjesë të mëdha të jugut, në një ofensivë të rrufeshme që filloi më 27 nëntor.

Analistët thanë se kontrolli rebel i Homsit do të ndryshonte lojën.

Një komandant me kryengritësit, Hassan Abdul-Ghani, postoi në aplikacionin e mesazheve Telegram se forcat opozitare kishin filluar “fazën përfundimtare” të ofensivës së tyre duke rrethuar Damaskun.

HTS kontrollon pjesën më të madhe të Sirisë veriperëndimore dhe në vitin 2017 krijoi një “qeveri shpëtimi” për të drejtuar punët e përditshme në rajon.

Në vitet e fundit, udhëheqësi i HTS-së Abu Mohammed al-Golani është përpjekur të ribëjë imazhin e grupit, duke ndërprerë lidhjet me al-Kaedën, duke hequr dorë nga zyrtarët e linjës së ashpër dhe duke u zotuar të përqafojë pluralizmin dhe tolerancën fetare.

Ofensiva filloi më 27 nëntor, gjatë së cilës persona të armatosur pushtuan qytetin verior të Alepos, më i madhi i Sirisë, dhe qytetin qendror të Hamës, qyteti i katërt më i madh i vendit.

Qeveria siriane i ka referuar të armatosurit e opozitës si terroristë që nga shpërthimi i konfliktit në mars 2011.

Kryediplomati i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kritikoi Assadin për dështimin për të përfituar nga qetësia e luftimeve në vitet e fundit për të adresuar problemet themelore të vendit.

“Assad nuk e shfrytëzoi këtë mundësi për të filluar angazhimin dhe rivendosjen e marrëdhënieve të tij me popullin e tij”, tha ai./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›