KOMENT – Ukraina akuzon Hungarinë dhe Sllovakinë për shantazh në çështjen e energjisë

BRATISLAVË, 22 shkurt /ATSH-DPA/- Kievi ka akuzuar Hungarinë dhe Sllovakinë për provokim dhe shantazh pas kërcënimeve për të ndërprerë furnizimin me energji nëse Kievi nuk rifillon dërgesat e naftës ruse përmes tubacionit “Druzhba”.
“Deklaratat nga Budapesti dhe Bratislava janë provokuese, të papërgjegjshme dhe kërcënojnë sigurinë energjetike të të gjithë rajonit”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha në X.
“Kievi po shqyrton aktivizimin e një mekanizmi paralajmërimi të hershëm në Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Më herët, Sllovakia dhe Hungaria kërcënuan Ukrainën me ndërprerje të furnizimit me energji emergjente nëse Kievi nuk lejonte rifillimin e naftës ruse përmes tubacionit “Druzhba”.
“Nëse tranziti i naftës në Sllovaki nuk rifillon të hënën, do t’i bëjë thirrje operatorit shtetëror të rrjetit SEPS, të ndalojë furnizimin me energji emergjente në Ukrainë”, tha kryeministri Robert Fico, në një deklarate qeveritare, të cituar nga agjencia e lajmeve CTK.
Ukraina: Riparimet në tubacion vazhdojnë ende
Ndryshe nga vendet e tjera të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të marrin naftë ruse, relativisht të lirë, pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe mbështeten në tubacionin “Druzhba” për furnizimet e tyre.
Zyrtarët ukrainas thanë se tubacioni është dëmtuar në sulmet ruse dhe riparimit po vazhdojnë ende, pavarësisht rrezikut të sulmeve të mëtejshme me raketa.
Megjithatë, Hungaria dhe Sllovakia kanë akuzuar udhëheqjen ukrainase për pengimin e qëllimshëm të rifillimit të furnizimeve.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se qeveritë në Budapest dhe Bratislavë duhet t’i adresonin ankesat e tyre Kremlinit, dhe jo Kievit, ndërsa kritikoi planet për të ndaluar energjinë elektrike, ngrohjen dhe gazin për ukrainasit, gjatë një periudhe të ftohti ekstrem.
“Qeveritë e Hungarisë dhe Sllovakisë jo vetëm që po luajnë në duart e agresorit, por edhe po dëmtojnë kompanitë e tyre të energjisë që furnizojnë gaz në baza komerciale”, shtoi ministria.
Ukraina e sheh blerjen e gazit dhe naftës nga Rusia nga dy vendet e BE-së, si ndihmë në financimin e luftës së Rusisë kundër saj.
Hungaria kërcënon të bllokojë kredinë e madhe të Ukrainës
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán la të kuptohej disa ditë më parë, se vendi i tij mund të pengojë furnizimin me energji për Ukrainën fqinje, nëse Kievi vazhdon të ndërpresë furnizimet e Hungarisë.
Ministri i Jashtëm, Péter Szijjártó njoftoi gjithashtu të premten se vendi i tij, do të bllokojë kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, derisa të rifillojë tranziti i naftës në Hungari nëpërmjet tubacionit “Druzhba”.
Orbán ka shprehur pikëpamjen se Ukraina është e interesuar që ai të humbasë zgjedhjet parlamentare të planifikuara më 12 prill dhe për këtë arsye kërkon që kostot e ngrohjes në Hungari të rriten, duke bllokuar tubacionin “Druzhba”. //a.i/