E Shtunë, 31 Tetor 2026

KPS miraton kuadrin makroekonomik dhe fiskal 2010-2012

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Komiteti i Planifikimit të Strategjive (KPS) miratoi sot kuadrin makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2010-2012. Kryeministri Berisha, duke theksuar se Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare botërore, u ndal në disa nga drejtimet kryesore që imponojnë kushtet e reja.

“Është fat i madh që ne nuk jemi të prekur nga kriza dhe kjo është e sigurt. Ekonomia jonë nuk ka pasur një komponent të fuqishëm financiar. Në tërësi ajo ka qenë 70 për qind ekonomi reale dhe 30 për qind financiare.  Por tensioni botëror na imponon që edhe ne të ndjekim disa trende: rritja e investimeve, rritja e pagave dhe pensioneve dhe ulja e taksave, që ne e kemi. Unë besoj se ky është trinomi më i shkëlqyer për të mbrojtur ekonominë e vendit. Ne, fatmirësisht, i kemi, por tani duhet të jemi të kujdesshëm edhe në problemin e deficitit. Nuk them të mos shkojmë drejt uljes, por drejt një ulje shumë të moderuar, pasi është një situatë e re. Vini re të gjitha ekonomitë botërore, me në krye Japoninë, kryeministri i së cilës paraqiti këtë vit buxhetin më gjigant, duke rritur deficitin,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për sa i përket këtyre trendeve, duke kërkuar që ato të reflektohen edhe në kuadrin makroekonomik e fiskale 2010-2012.  

“Në qoftë se na thuhet se cilat janë masat antikrizë që ne marrim, - u shpreh Kryeministri - mendoj se ne jemi në rrugë të shkëlqyer në kuptimin e taksave, të tjerët po i ulin, ndërsa ne i kemi të ulëta dhe po i ulim prapë. Ne kemi politikën e rritjes së pagave më të mirë se kushdo tjetër për proporcionet tona. Ne i kemi investimet 32 për qind të buxhetit, të cilat do t’i ruajmë. Ne mund të kishim dëshirë të ishim me suficit, mund të kishim dëshirë të ishim me deficit 1 për qind, por kushtet e reja të krijuara nga një krizë që ka përfshirë ekonomitë e mëdha na imponojnë të jemi të kujdesshëm dhe do të bëhet një kombinim midis Hajek-ut dhe Kejns-it. Kejnsi nuk vjen dot tërësisht, por edhe nuk u zhduk. Këto tre drejtime duhet t’i keni parasysh në këtë buxhet. Ne jemi një vend që do të ndërtojë infrastrukturën, ndaj ky nuk është një koncept abuziv. Po ashtu e kam deklaruar dhe e deklaroj se sa të jem në qeveri shqiptarët do të kenë rritje pagash e pensionesh. Rritja e pagave është një kombinim i inkurajimit të ofertës dhe kërkesës. Më se shumti kjo do të jetë edhe dalja nga kriza e vendeve të tjera.”

Gjatë diskutime mbi kuadrin makroekonomik e fiskal 2010-2012, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave të punojë mbi bazën e treguesve të nxjerrë nga Instituti i Statistikave, institucioni ligjërisht përgjegjës për llogaritjen e tyre. Duke i tërhequr vëmendjen Ministrisë së Financave se ajo nuk është institucioni që bën kalkulimin e rritjes ekonomike, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ministri duhet të  përdorë të dhënat e INSTAT-it.

“Ky është një ekip që ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe unë e kam theksuar dhe e theksoj këtë me vendosmërinë dhe kënaqësinë më të madhe. Por sot, ky ekip vjen me konflikt flagrant interesi me shifrën e tij. Unë bie dakord me shifrën më të vërtetë dhe shifra më e vërtetë është shifra që jep Instituti i Statistikave.

Përqindja e rritjes ekonomike është baza më e fuqishme infrastrukturore ekonomike për rritjen e pagave, duke ruajtur raportin. Mund të bësh pa vështirësi rritje dyshifrore pagash në praninë e një rritjeje dyshifrore ekonomike, në qoftë se e ke, duke ruajtur raportin e përgjithshëm të fondit të pagave me PBB. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për filozofinë time politike. Unë jam për rritjen e pagave dhe pensioneve. Vazhdimi i kësaj politike është kushti më kryesor dhe drejtim themelor i qeverisjes. Ndaj dhe shifrat mendoj se është në interesin më të mirë të gjithsecilit që t’ia lëmë institucionit që ia kemi besuar. Në rast se kemi dyshimin më të vogël, të ulemi me të dhe e diskutojmë. Në Institut e Statistikave ka një punonjës të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka punuar së bashku me ta për muaj të tërë, i cili ka qenë në zyrën time dhe i ka certifikuar tërësisht shifrat e tyre. Ky është realiteti,” u shpreh Kryeministri.  


06/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›