E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Kallëzim penal për numëruesit e votave në Lezhë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur të çojë për ndjekje penale, kryetarët dhe anëtarët e KZAZ-së nr.13 të Lezhës për abuzimet me numërimin e votave në zgjedhjet e 23 Qershorit.

KQZ ka kërkuar që anëtarët e komisioneve që kanë bërë shkelje, të ndiqen penalisht dhe të mos jenë më anëtarë në zgjedhje të reja.

Anëtari i KQZ-së Klement Zguri ka kërkuar që jo vetëm numëruesit, por edhe vëzhguesit dhe përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore që kanë pranuar shifrat e gabuara duhen penalizuar.

Kolegji jep një lloj amnistie, numëron votat. Veprimi i tij ishte i kundraligjshëm nga një vendimi që u mor nga një strukturë tjetër. Pra, sistemi mbetet korruptiv, tha Zguri.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve gjithashtu miratoi sot edhe vendimin për regjistrimin e subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet vendore që do të mbahen në datën 1 shtator në komunat Dardhas të Qarkut të Korçës si dhe në komunën Rrethinë në Qarkun e Shkodrës.

Për zgjedhjet nga ku do të zgjidhen dy krerët e komunave do të marrin pjesë Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat do të garojnë sëbashku si pjesë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane si dhe Partia Demokratike e Shqipërisë.

Gjithashtu KQZ miratoi sot edhe modelin e fletës së votimit e cila do të përdoret në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas në Korçë dhe për kryetarin e Komunës Rrethina në Shkodër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›