E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ nis finalizimin e Planit Strategjik 2027-2031

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hyrë në fazën e finalizimit të Planit Strategjik 2027-2031, me synim kalimin nga dokumentet e hartuara në zbatimin konkret të objektivave dhe veprimeve institucionale.

KQZ bëri të ditur se sot nisi seminari dyditor, i cili synon validimin përfundimtar të dokumenteve strategjike dhe përcaktimin e mënyrës konkrete të zbatimit të tyre.

Në hapje të punimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi rëndësinë e kthimit të strategjive në veprime konkrete të përditshme.

“Strategjitë janë tonat, dhe tani duhet t’i kthejmë në punë të përditshme”, u shpreh Celibashi.

Gjatë seminarit, drejtoritë e përgjithshme të KQZ-së shqyrtuan objektivat dhe veprimet strategjike, identifikuan boshllëqet dhe mbivendosjet, si dhe hartuan hartën e përgjegjësive institucionale, me orientimin e ekspertëve të Këshillit të Evropës.

Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, Liri Kopaçi Di Michele dhe Franck Daeschler, vlerësuan angazhimin e KQZ-së për një planifikim të qartë dhe të matshëm.

Në vijim, fokusi do të zhvendoset te hartimi i planit vjetor të punës për vitin 2027 dhe hapat që do të çojnë drejt miratimit zyrtar të Planit Strategjik 2027-2031.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit “Forcimi i integritetit të zgjedhjeve në Shqipëri” (SEI) të Këshillit të Evropës, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›