E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon ankesën e PDI-së për Fierin

TIRANË - KQZ rrëzoi ankimimin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim që kërkonte shpalljen të pavlefshme të rezultateve zgjedhore në disa qendra votimi në Qarkun e Fierit. Edhe pse anëtarët e djathtë të KQZ-së votuan pro, kërkesa nuk u miratua pasi në bazë të Kodit Zgjedhor duhej të merrte pesë vota, ndërsa Komsioni votoi 4 pro, 3 kundra.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot në shqyrtim ankesën e Partisë së çamëve. Kjo ankesë gjeti mbështetjen e përfaqësuesit ligjor të PD-së, i cili i kërkoi komisionit marrjen parasysh të ankesës, sepse është e pajisur me prova. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj e kundërshtoi ankimimin si jashtë procedurës dhe afateve ligjore, duke kërkuar pushimin e gjykimit të çështjes. Sipas tij kontestimet për Qarkun e Fierit janë pranë shqyrtimit në Kolegjin Zgjedhor, i cili do të marrë vendim ndaj ankesave për këtë zonë zgjedhore.

Një javë më parë KQZ pranoi kërkesën ankimore të PS-së për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të qarkut Fier. Pas rinumërimit në KQZ të disa kutive tabela e rezultateve për këtë Qark ndryshoi ,duke i dhënë një mandat PS-së, nga 8 në 9 mandate.

Objekti i ankimimit të PDI-së ishte për shpalljen të pavleshme të zgjedhjeve në QV-në me nr. 3185, 3188 dhe 3196 të KZAZ-së nr. 20 dhe në QV-në 3006 të KZAZ-së nr.18.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›