KQZ shpall nesër rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës do të shpallë të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor.Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se mbledhja e radhës e Komisionit do të zhvillohet nesër më 27 qershor në ora 11:00, ku pritet të miratohet shpallja zyrtare e rezultateve.
“Ju njoftoj se të shtunën (27 qershor 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Elezi.
Vendimi vjen pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë gjatë ditës së sotme ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave të partisë së tyre.
Refuzimi i ankesave nga Gjykata Supreme i ka hapur rrugën KQZ-së për të finalizuar procesin zgjedhor.
Zgjedhjet e 7 qershorit u thirrën të parakohshme pas rënies së qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. KQZ-ja ka afat ligjor për të shpallur rezultatet përfundimtare brenda 30 ditëve nga dita e votimit.
/rtsh.al/