KQZ, tender pa garë për pajisjet 5 milion euro
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë ditën e mërkurë vendimin për nisjen e procedurës për tenderimin e pajisjeve elektronike për dy projektet, të numërimit dhe verifikimit elektronik.
Një procedurë e tillë, sipas vetë anëtarëve të KQZ-së, nuk është realizuar më parë në Shqipëri, pasi vlera e pajisjeve që do të blihen kap shifrën rreth 5 milionë euro.
Mirëpo siç shkruhet edhe në gazetën Panorama, opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord për procedimin në mënyrë të përshpejtuar, që në zgjedhjet e ardhshme të mos rrezikohet përdorimi i teknologjisë në numërimin dhe verifikimin e kartave të identitetit.
Kompanitë që kanë shfaqur interes janë tre të huaja dhe një shqiptare dhe kanë kërkuar që të përfshihen në tenderin me negocim dhe pa shpallje, që pritet të realizojë KQZ-ja.