E Diel, 1 Nëntor 2026

KUBA – Protesta në Havana, kriza energjetike thellohet pas mungesës së naftës

MEKSIKO SITI, 15 maj /ATSH-DPA/- Qindra kubanë kanë dalë në rrugët e Havanës për të protestuar kundër ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, ndërsa vendi po përballet me mungesë të theksuar energjie pas humbjes së furnizuesit kryesor, Venezuelës, më herët gjatë këtij viti.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë banorë në disa lagje të kryeqytetit gjatë natës, për të shprehur zemërimin e tyre ndaj ndërprerjeve të përditshme të energjisë, të cilat në disa raste zgjasin deri në 22 orë.

Qeveria e ishullit të Karaibeve, e udhëhequr nga socialistët, ka fajësuar krizën energjetike për embargon e naftës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas operatorit kombëtar të rrjetit elektrik UNE, rrjeti u shemb sërish dje në mëngjes midis provincës qendrore Ciego de Ávila dhe rajonit lindor Guantánamo, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë.

Që nga fillimi i vitit, vetëm një tanker rus me rreth 100,000 tonë naftë ka arritur të mbërrijë në Kubë.

Sipas qeverisë, ishulli me rreth 10 milion banorë ka nevojë për të paktën tetë dërgesa të tilla çdo muaj, për të përmbushur nevojat energjetike.

Kuba, prej vitesh,  po përballet me krizë të rëndë ekonomike, e cila është thelluar më tej muajt e fundit nga embargoja amerikane ndaj naftës.

Havana humbi furnizuesin e saj kryesor, Venezuelën, pasi forcat speciale amerikane arrestuan presidentin Nicolás Maduro në Karakas, në fillim të janarit.

Po ashtu, Meksika ka kufizuar furnizimet me naftë pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa ndëshkuese ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me energji.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka ofruar 100 milionë dollarë ndihmë humanitare për popullin kuban, e cila do të shpërndahet përmes Kishës Katolike dhe organizatave të tjera të pavarura.

Ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodríguez tha se Kuba është e gatshme të dëgjojë detajet e ofertës dhe mënyrën e zbatimit të saj, por shtoi se mbetet e paqartë nëse ndihma do të jetë financiare apo në formë mallrash.

Ai theksoi se ndihma më e mirë që SHBA-JA mund të japë, është lehtësimi i embargos ekonomike dhe energjetike ndaj ishullit.

Marrëdhëniet mes Kubës dhe SHBA-së mbeten të tensionuara që nga revolucioni i vitit 1959, ndërsa administrata amerikane ka rritur presionin për ndryshime politike dhe ekonomike në vend. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›