Kabineti i ri qeveritar, Rama i ribeson Belinda Ballukut postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ka zbardhur emrat e ekipit të ri me të cilin do të qeverisë vendin deri në vitin 2029.
Rama: Kjo shumicë e re parlamnetare, qeveria e re që do dalë, duhet të marrë frymë me dëshirën për ta bërë Shqipërinë Evropën e Ballkanit. Ne nuk duhet të sillemi me këtë parti dhe me këtë moment si njerëzit që janë ulur në tavolinën e byrekut dhe mbyllin derën se mos vijnë të tjerët dhe kërkojnë byrek, gjë që ndodh shpesh. Duhet ta ndiejmë si një afrim, si një bashkim patriotik me sa më shumë njerëz të zakonshëm, qytetarë dhe profesionistë, demokratë apo çfarëdo qofshin. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur luksin e mosshfrytëzimit të burimeve të mira njerëzore.
Kabineti “Rama 4”
Rama: Ndërtimi i skuadrës së re ishte sprova ime e parë. Ja pse ndryshe nga herët e tjera paraqitjen e qeverisë së re do ta bëj tani, herë pas here me disa shpjegime rrugës.
–Zëvendëskryeministër konfirmoj Belinda Ballukun. Do të drejtojë të njëjtën ministri, Infrastrukturën dhe Energjinë, e cila nuk do të ndryshojë si ministri.
Belinda Balluku ka mbajtur detyrën e Zëvendëskryeministres prej korrikut të vitit 2022 dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019.
Më herët, nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim (2019), Znj. Balluku ka shërbyer në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL, sh.a., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë.
Balluku është diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillim Ekonomik” nga Harvard Kennedy School, si dhe me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të lundrimit ajror (Air Navigation Services Management)./vizionplus.tv