Kadastra nis verifikimet në terren për shtëpitë pa titull në 6 fshatra të Devollit

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës nis nga 21 shtatori verifikimet dhe matjet në terren në gjashtë fshatra të Devollit, për trajtimin e kërkesave për kalimin në pronësi të objekteve pa titull, truallit funksional dhe oborrit në përdorim.
Sipas njoftimit të Kadastrës Shqiptare, verifikimet do të kryhen nga ekipet e Drejtorisë Vendore të ASHK Korçë, për shtëpitë e ndërtuara para vitit 1991.
Procesi nis më 21–22 shtator në fshatin Sul, vijon më 28 shtator në Dobranj dhe më 29 shtator në Eçmenik. Në Hoçisht verifikimet do të zhvillohen më 5–9 tetor, në Koshnicë më 2–3 nëntor dhe në Grace më 16–17 nëntor.
ASHK u bën thirrje banorëve që kanë paraqitur kërkesë të jenë të pranishëm gjatë verifikimeve në terren, pasi verifikimi i objektit, kryerja e matjeve dhe plotësimi i dokumentacionit janë hapa të nevojshëm për vijimin dhe përfundimin e procedurës.
Ndërkohë lista me emrat e banorëve që kanë paraqitur kërkesë është afishuar pranë njësive administrative përkatëse, njofton Kadastra.
/e.xh/