Kalaja e Tiranës e Amfiteatri i Durrësit, miratohet restaurimi
TIRANE-Dy projekte me rëndësi për restaurimin e dy monumenteve arkeologjike, Amfiteatrit të Durrësit dhe Kalasë së Tiranës u diskutuan në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Përfaqësuesi i qendrës "Frashëri", Gjergj Frashëri, që ka realizuar projektin për Amfiteatrin e Durrësit, tha se ndërhyrja e shpejtë për eliminimin e ndërtesave në afërsi të tij do të nisë shpejt dhe në zonën veriore do të jetë e menjëhershme e më pas, në pjesët e tjera të tij. Projekti përfshin gërmimin, shpëtimin dhe restaurimin e amfiteatrit për ta kthyer në monument kulture të vizitueshëm për shqiptarët dhe turistët e huaj. Ky projekt do të realizohet falë bashkëpunimit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së qytetit të Durrësit. Ndërsa projekti restaurues për Kalanë e Tiranës, gjurmët e së cilës janë zbuluar rastësisht në vitin 2001, parashikon ndërtimin e një qendre muzeale, pasi ky objekt konsiderohet një ndër monumentet më të rëndësishme të kryeqytetit. Sipas arkeologëve, në zonën pranë kalasë po kryhen disa ndërhyrje infrastrukturore që bien ndesh me kërkesat, pasi në të po punohet në kushte jo të përshtatshme për monumente arkeologjike. Ndërhyrja në Kalanë e Tiranës do të përfshijë dhe prishjen e ndërtimeve pa leje të ngritura në afërsi të saj. Pas prezantimit të projekteve restauruese, ministri i TKRS-së, Ferdinand Xhaferraj u shpreh se, "këto janë ndër më të rëndësishmet në fushën e trashëgimisë kulturore dhe realizimi i tyre shkon në përputhje me kërkesat dhe kriteret e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve". Gjurmët e Kalasë së Tiranë u zbuluan gjatë restaurimit të njërës prej portave osmane të saj, ku dolën në pah struktura shumë të vjetra muresh, me zhvillime planimetrike të ndërlikuara si dhe një kullë e pazakontë me trashësi muresh 3 m dhe me dimensione 12.00 x 12.00 m. Ndonëse sondazhet vazhduan gjer në thellësinë 2.90 m nën nivelin e asfaltit, nuk u gjet dot fundi i tabanit të themelit, pasi ai ndodhej më në thellësi të tokës së butë argjilore.
Amfiteatri
Gjendja e sotme e pjesëve të ruajtura të amfiteatrit tregon qartë, se për restaurimin dhe vënien e tij në përdorim nevojiten të aplikohen të gjitha llojet e restaurimit ndërtimor dhe të konservimit arkeologjik. Duhet thënë se do ketë ndërhyrje masive konsoliduese të strukturave të brendshme të amfiteatrit, strukturave mbuluese të galerive dhe të strukturave mbajtëse të ndenjësve të amfiteatrit. Këtu përfshihen punimet çliruese të karakterit arkeologjiko-arkitektonik që do të kryhen paraprakisht në nën-ambientet e ndenjëses. Do të largohen mbushjet e gabuara me muraturë "konservimi apo konsolidimi", që janë kryer gjatë dekadave të fundit dhe rikompozimi vizatimor i ndenjëses në gjendjen origjinare, dhe do të kryhet konturimi me muraturë i pjesëve të humbura të ndenjëses, të shkallëve, pasazheve të lëvizjes midis blloqeve të ndenjëses, të puseve të shkarkimit të ujit, etj, sipas teknikës origjinale, por të dallueshme prej saj si dorë e restaurimit. Do bëhet gjurmimi dhe restaurimi i sistemit të shkarkimit të ujërave të shiut deri në largimin e tyre jashtë perimetrit të amfiteatrit dhe derdhjen e tyre në sistemin shkarkues të qytetit të Durrësit. Gjithashtu, do bëhet rivendosja e ndenjësve dhe shkallëve në pozicionin origjinar me materiale bashkëkohore me karakter montimi-zmontimi (reversibël) për përdorimin e spektatorit të sotëm, e po ashtu edhe gërmimi dhe restaurimi arkeologjiko-arkitektonik i hapësirave të arenës.
Kalaja e Tiranës
Do ketë ndërhyrje në ambientin e jashtëm të kështjellës për integrimin e saj në mjedisin e sotëm të qytetit. Muri rrethues dhe kullat e kështjellës në anën veriore, në rrugën "Murat Toptani", janë të mbuluara nga ngritje të vona të herëpashershme të rrugës, deri në 0,5-0,6 m prej nivelit të tyre origjinal. Sondazhet në Kullën B tregojnë qartë nivelin ndarës të themeleve ndaj mureve në lartësi të kështjellës. Në projektin e restaurimit është menduar si e nevojshme ulja e krejt rrugës në këtë thellësi, deri në sipërfaqen e kalldrëmit të dalë në anën veriore të Kullës B. Me këtë rast e gjithë sipërfaqja e rrugës do të shtrohej me kalldrëm, duke i dhënë asaj direkt aspektin e një rruge për këmbësorë. është menduar të ulet terreni pranë mureve rrethuese në anën perëndimore të kështjellës, ku mbushjet e dherave vijnë nga vitet '20-'30 të shekullit të kaluar. Edhe në këtë anë, muret duhet të bëhen të dukshme prej nivelit të përfundimit të themeleve. Me këtë rast duhet kërkuar këtu horizonti i tokës që ka qenë përpara mureve rrethuese, dhe mundësisht të verifikohej edhe ekzistenca e ndonjë kanali ujor përgjatë tyre (uji i Lanës). Në anën lindore do të bëhet gjithashtu ulja e terrenit deri 0,4 m, duke larguar mbushjet e dhjetëvjeçarëve të fundit. Qëllimi i uljes së terrenit në përgjithësi përpara mureve të kështjellës është krijimi i një sipërfaqeje pa pengesa përqark kështjellës për lëvizjen e lirshme të vizitorëve.
(d.b/BalkanWeb)