E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaleb 5-vjeçar dhe jeta e tij pa ushqim

Është vetëm 5 vjeç dhe nuk ka shijuar ende asnjë ushqim. Kaleb-i nga Australia ka një formë të rrallë alergjie, që e bën të mos provojë dot asnjë ushqim, pasi stomaku i tij është gjithnjë në gjendje të plagosur. Me gjithë sëmundjen e rrallë, prindërit dhe mjekët nuk heqin dorë nga gjetja e një kure dhe vazhdojnë të jenë optimistë

Kur familja e Kaleb Bussenschutt u ul për të shijuar një barbekju pule, të hënën në darkë, Kaleb-i nuk kishte ç‘të bënte veçse të shihte me sy e të plaste me zemër. Ndërsa shihte, ai përtypte vetëm disa kubikë akulli. Kaleb-i është 5 vjeç dhe jeton së bashku me familjen në Adelajde të Australisë. E veçanta e fëmijës, në dukje shumë normal, është se vuan nga një lloj shumë e rrallë alergjie, që do të thotë se stomaku i tij nuk mund të pranojë asnjë lloj ushqimi. Mjekët australianë e kanë parë me shumë kujdes këtë rast të rrallë e njëherazi të vështirë, që u bë i dukshëm kur e ëma po përpiqej që t‘i jepte një gotë me qumësht një mëngjes, kur ishte ende foshnje. "Po përpiqesha që t‘i jepja pak qumësht, por ai pësonte pas çdo gllënjke diarre. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, por e dija që kishte diçka që nuk shkonte me shëndetin e tim biri. Më në fund vendosa që t‘i bëja një biopsi në stomak dhe u tmerrova nga rezultati që pashë. Ajo tregonte një stomak të infektuar, të acaruar, të përfshirë nga një ulcerë shumë e agravuar", thotë e ëma e Kalebit. Mjekët menduan në fillim se bëhej fjalë për një alergji të djalit ndaj sojës apo qumështit, ndaj e vunë në disa dieta të forta, të cilat përjashtonin të gjithë elementët ushqimorë që kishin në përmbajtjen e tyre sojë. Por edhe pas kësaj, asgjë nuk funksiononte dhe djaloshi vazhdonte që të nxirrte në formë diarreje çdo gllënjkë lëngu e çdo kafshatë ushqimi. "Kemi provuar gjithçka që është e mundur të provohet nëpër spitale, madje iu drejtuam edhe mjekimit alternativ. Morëm disa bimë mjekësore që na thanë t‘i përdornim për t‘i qetësuar stomakun dhe për ta rivënë atë në funksionim, por nuk ia arritëm qëllimit. Nga mosha 18-muajshe e deri në atë 5-vjeçare gjërat kanë ardhur duke u përkeqësuar për të", rrëfen e ëma e Kaleb-it. Situata u përkeqësua aq shumë dhjetorin e kaluar kur prindërit u detyruan që ta shtronin të birin në spital, pasi kishte kaluar një javë rresht në shtëpi duke vjellë e me një diarre që po i rrezikonte jetën. Për më tepër që ai kishte edhe dhembje të forta dhe zgjohej prej tyre në mesin e natës me ulërima të mëdha. Mjekët arritën në përfundimin se djali i vogël vuante nga një lloj i veçantë dhe shumë i rrallë alergjie: alergjia ndaj ushqimit në përgjithësi, çka do të thoshte se stomaku i tij irritohej e sëmurej sapo binte në kontakt me ushqimin. Bëhej fjalë për një shtrembërim të metabolizmit. Me këtë diagnozë ata nisën që të kryenin shumë analiza dhe prova për të parë se ç‘mund të bënin me sëmundjen e djalit. "Të gjithë mjekët më thonë se im bir është fëmijë shumë i ndërlikuar. Askush nuk e di saktësisht se çfarë ka që nuk shkon me të", thotë e dëshpëruar mamaja e djalit 5-vjeçar. Për sa i përket alergjisë ndaj ushqimeve, ajo është një patologji që prek 1 në çdo 20 fëmijë, por sipas mjekëve rasti i Kaleb-it është jashtëzakonisht i rrallë, madje në Australi nuk ka asnjë rast me simptoma të tilla të regjistruara as në vitet e shkuara. Sipas një mjeku që merret me trajtimin e djalit, ai nuk ka parë asgjë të ngjashme gjatë gjithë karrierës. "Raste të tilla shfaqen ndonjëherë te foshnjat, por që ky mosfunksionim të vazhdojë edhe te një fëmijë 5-vjeçar është shumë i rrallë", shprehet doktori. Derisa mjekët të gjejnë një mënyrë ushqimi të përhershëm e të rregullt, Kaleb-i mbahet gjallë me "Elecare", një formulë ushqimore e përbërë nga një përzierje kalciumi dhe vitaminash që i injektohet çdo dy orë drejt e në gjak pa kaluar nga stomaku. Për të marrë këtë ushqim, djali ka nevojë vazhdimisht për praninë e së ëmës apo atë të një infermiereje. Kur ai shkon në kopsht, është një infermiere që monitoron punën, ndërsa në shtëpi janë prindërit. Të vetmen gjë që stomaku i Kaleb-it pranon është uji, dhe një lloj limonade e veçantë. Kur familjarët dalin për të ngrënë në restorante, çka është diçka që e bëjnë shumë rrallë për të mos trishtuar djalin, ai ha vetëm copëza akulli, që e ndihmojnë të ushtrojë muskujt e fytyrës, të cilat, në pasivitet, mund t‘i krijonin probleme. Ai nuk mundi që të provonte as kekun e ditëlindjes ditën që mbushi 5 vjeç. Me këtë rast, prindërit i bënë një festë në breg të detit dhe thirrën një kloun për të zbavitur fëmijët, por iu lutën të ftuarve që fëmijët e tyre të mos hanin, ose vetëm të pinin. Megjithatë Kaleb-i u kërkoi prindërve që t‘i bënin një tortë të madhe për ditëlindje dhe i tha së motrës që ta hante. Po cila do të jetë e ardhmja e këtij djali me një diagnozë kaq të rrallë, që i ka bërë mjekët të vrasin mendjen për një kurë. Sipas tyre, e ardhmja nuk mund të parashikohet, sepse gjithçka është në një terren të panjohur dhe vetëm ndonjë zbulim mund ta ndryshonte situatën, pasi asnjë kurë e njohur deri më tani nuk bën efekt. "Ne nuk e dimë me siguri, por do të ishim shumë të lumtur që menyja e tij ushqimore të pasurohej sadopak, çka do të thotë që stomaku të fillojë të pranojë qoftë edhe disa ushqime të vogla. Ndërkohë prindërit e Kaleb-it kanë vendosur që t‘i japin djalit të gjitha përvojat e tjera të një fëmijërie të lumtur, duke qenë se atij i mungon kënaqësia e të ngrënit. Për këtë e kanë regjistruar në kurse dhe e kanë çuar në udhëtime, të cilat e kanë bërë të lumtur. Ndoshta një ditë i vogli Kaleb do të shërohet falë dëshirës për jetë dhe këmbënguljes së prindërve dhe mjekëve për ta zgjidhur plotësisht rastin e tij unik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›