E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalemaj: Kurti ka luajtur duke fituar kohë, me një gur ka vrarë disa zogj

Analisti Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushi në RTSH1, ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ditur të luajë shah më mirë se kushdo tjetër në skenën politike kosovare gjatë dy viteve të fundit.

Sipas Kalemajt, Kurti është përballur me një administratë amerikane të Donald Trumpit, me të cilën do ta kishte jashtëzakonisht të vështirë, veçanërisht në kontekstin e emërimeve të mundshme si ajo e Richard Grenellit. Në këto kushte, ai ka zgjedhur një strategji të qëllimshme.

“Kurti ka luajtur duke fituar kohë dhe duke vrarë me një gur disa zogj,” deklaroi Kalemaj.

Ai shpjegoi se mungesa e një qeverie formale të dekretuar për një periudhë të gjatë – duke qenë në qeveri, por edhe duke mos qenë formalisht – i ka mundësuar Kurtit të fitojë kohë dhe të shmangë përballjen e drejtpërdrejtë me një administratë Trump që mund të ishte penalizuese jo vetëm për të, por edhe për Kosovën.

Në lidhje me temën e Gjykatës Speciale, Kalemaj theksoi se ajo nuk mund të zhbëhet nga debatet e brendshme apo nga votimet parlamentare.

“Vetëm BE-ja mund ta zhbëjë,” tha ai, duke iu referuar raportit të Dick Marty-t dhe prapavijës gjeopolitike. Sipas tij, në mungesë të kësaj gjykate do të krijohej një mekanizëm përmes OKB-së, ku Kina, Rusia dhe vende të tjera do të kishin ndikim, duke prodhuar një trup edhe më penalizues.

Kalemaj hodhi poshtë idenë se ish-udhëheqësit e UÇK-së,  Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë vepruar me naivitet apo miopi politike.

“Ata treguan burrështetësi dhe morën mbi supe rrezikun. Mendoj që historia do t’i shpërblejë,” theksoi analisti.

Ai vuri në dukje se politika e jashtme duhet parë gjithmonë në funksion të politikës së brendshme dhe cikleve elektorale, duke përmendur shembujt e Aleksandar Vuçiçit në Serbi dhe Millorad Dodikut në Republika Srpska. Edhe në Kosovë, theksoi Kalemaj, ka palë brenda PDK-së dhe LDK-së që bëjnë llogaritë e tyre në lidhje me fatin e ish-komandantëve të luftës, ndërsa edhe Kurti ka bërë llogaritë e veta.

Sipas tij, pavarësisht kritikave, strategjia e Kurtit ka qenë e qartë që nga dita e parë dhe e fokusuar në blerjen e kohës në një kontekst gjeopolitik të ndërlikuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›