E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kalimet e paligjshme të emigrantëve, Frontex: Rajoni me rënien më të madhe, ulje me 30% në Evropë

Agjencia Evropiane për Rojën Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), ka publikuar të dhënat mbi kalimet e paligjshme të emigrantëve në kufijtë e Evropës, duke bërë me dije se kanë shënuar një rënie prej 30% në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia është regjistruar në të gjitha rrugët kryesore të migracionit dhe ka çuar në një total prej afërsisht 33,600 më pak mbërritje gjatë tre muajve të parë të vitit.

Rruga e Ballkanit Perëndimor – që përfshin Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – ka përjetuar rënien më të ndjeshme me 64%, ndërkohë që edhe kalimet drejt Mbretërisë së Bashkuar kanë shënuar një ulje modeste prej 4%.

Ndërsa Frontex dhe autoritetet evropiane e kanë lidhur këtë rënie me masat e intensifikuara për kontrollin kufitar, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime serioze mbi ndikimin e këtyre masave në jetën dhe dinjitetin e migrantëve.

Judith Sunderland nga Human Rights Watch deklaroi se, ndonëse statistikat tregojnë një prirje rënëse, kjo vjen me një kosto të madhe njerëzore.

“Nuk ka të bëjë vetëm me statistikat. Le të mos harrojmë se kjo po vjen me koston e njerëzve që mbyten në Mesdhe, njerëzve që rrahen në kufirin Poloni-Bjellorusi dhe shtyhen përsëri në Bjellorusi,” tha Sunderland. Ajo shtoi se kjo strategji e Bashkimit Evropian po i shtyn migrantët drejt rrugëve gjithnjë e më të rrezikshme për të arritur në kontinent.

Shqetësimet janë përsëritur edhe nga Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR), e cila ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Penale Ndërkombëtare mbi trajtimin e migrantëve në rajonin qendror të Mesdheut. Allison West, këshilltare e lartë ligjore pranë ECCHR-së, theksoi se: “Rënia e numrave zyrtarë nuk do të thotë se ne po shohim më pak njerëz në lëvizje. Kjo do të thotë se ne po shohim më shumë njerëz të përfshirë në kushte të tmerrshme në Libi dhe Tunizi që përbëjnë krime kundër njerëzimit, me bashkëpunimin dhe miratimin e BE-së.”

Në deklaratat e saj, West vuri në dukje se abuzimet në qendrat e ndalimit në vendet e Afrikës së Veriut nuk janë thjesht pasoja të paqëllimshme të politikave evropiane, por një pasojë e parashikueshme e strategjisë që vë kontrollin përpara mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›