Kallas: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mënyra e vetme për anëtarësim në BE

PRISHTINË, 3 shkurt/ATSH/ Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas e ka mirëpritur emërimin e Peter Sorensenit si emisar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
“Na pret një punë e rëndësishme”, shkroi Kallas në X.
Ajo tha se “normalizimi i plotë i marrëdhënieve është mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE”.
Kallas falënderoi edhe Miroslav Lajçakun i cili deri tani ka mbajtur pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Në krye me Lajçakun në këtë proces, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk ka gjetur zbatim.Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011.
Në Kosovë po pritet qasje e re dhe më e barabartë nga diplomati danez, Peter Sorensen.
Megjithatë, sipas analistëve, blloku duhet të dizajnojë në tërësi dialogun e jo vetëm të ndryshojë emrat që lehtësojnë këtë proces./KosovaPress