E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallas: Zgjedhjet në Kosovë shtyjnë dialogun me Serbinë

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka deklaruar se zhvillimi i shpeshtë i proceseve zgjedhore në Kosovë është faktori kryesor që ka penguar nisjen e një rundi të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel të lartë politik.

Në një prononcim për mediat, Kallas u shpreh se si pala kosovare, ashtu edhe ajo serbe kanë shfaqur gatishmëri për takime në kuadër të dialogut, përfshirë presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin Kurti, por procesi është shtyrë për shkak të situatës politike dhe zgjedhjeve të afërta në Kosovë.

“Ne kishim planifikuar dialogun politik në nivel të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës. Kishim dakordësinë e të dy liderëve, por afrimi i zgjedhjeve në Kosovë e ka shtyrë këtë proces”, deklaroi ajo.

Kallas shtoi se Bashkimi Evropian po vijon angazhimin me të dyja palët në mënyrë të ndarë, me fokus në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët.

“Po punojmë me të dyja palët veçmas për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese”, u shpreh ajo.

Dialogu i fundit në nivel liderësh mes Kosovës dhe Serbisë është mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa Kallas mori detyrën në dhjetor të vitit 2024 dhe ende nuk ka udhëhequr një raund të ri negociatash mes palëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›