E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallas përjashton mundësinë që ish-kancelari gjerman Schroder të jetë si ndërmjetës në bisedimet për Ukrainën

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të hënën hodhi poshtë mundësinë e emërimit të ish-kancelarit gjerman Gerhard Schroder si negociator i bllokut në bisedimet e mundshme të paqes për Ukrainën.

Presidenti rus Vladimir Putin propozoi të shtunën që Schröder të veprojë si ndërmjetës evropian në negociatat e ardhshme, duke pretenduar se konflikti po “po shkonte drejt fundit”.

Megjithatë, Kallas e hodhi poshtë sugjerimin ndërsa foli me gazetarët përpara një takimi të ministrave të punëve të jashtme të BE-së në Bruksel.

“Së pari, nëse i japim Rusisë të drejtën të emërojë një negociator në emrin tonë, kjo nuk do të ishte shumë e mençur. Së dyti, mendoj se Gerhard Schroder ka qenë në mënyrë efektive një lobist i nivelit të lartë për kompanitë shtetërore ruse”, ka thënë Kallas.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së shtoi se preferenca e Putinit për Schroder do të thoshte “ai në mënyrë efektive do të ulej në të dyja anët e tryezës”.

Schroder ka mbajtur lidhje të ngushta me Putinin që kur u largua nga detyra.

Ai shërbeu në bordin e gjigandit rus të naftës Rosneft deri në vitin 2022 dhe gjithashtu mbajti role me firma të tjera shtetërore ruse të energjisë, përfshirë Nord Stream AG dhe Gazprom.

Propozimi i Putinit u refuzua gjithashtu nga Ukraina dhe mori një reagim të përzier në të gjithë Evropën.

Duke folur të hënën, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha u pyet nëse Kievi e mbështeste Schroderin si një ndërmjetës të mundshëm.

“Jo, nuk e mbështesim”, citohet të jetë përgjigjur ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i çështjeve të jashtme i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në parlament, Adis Ahmetović, tha se propozimi duhet të “shqyrtohet me kujdes” së bashku me partnerët evropianë, sipas gazetës gjermane Der Spiegel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›