E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kallashnikovët do i shiste te grupet kriminale, 22-vjeçari kapet në tunelin e Murrizit. Hetohen “blerësit”

Dy armë zjarri kallashnikov do të ishin në duart e grupeve kriminale nëse policia nuk do të arrestonte poseduesin e tyre.

Efektivët blu prangosën 22-vjeçarin Ardit D., i cili po i transportonte përmes tunelit të Murrizit drejt Tiranës, me qëllim shitjen te grupet kriminale.

Të dhënat e Policisë së kryeqytetit bënë të ditur se informacioni për këtë aktivitet kriminal u kishte ardhur në rrugë operative ndërsa ndërhyrja u realizua brenda në tunel.

22-vjeçari është banues në Burrel, ndërsa në automjet, konkretisht në pjesën e bagazhit, iu gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.

Efektivët blu vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Njëzetedyvjeçari akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›