Kallëzimi i 2021-shit, Vangjel Tavo paraqitet në SPAK

Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo është paraqitur këtë të martë (4 qershor) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Tavo u paraqit në SPAK për një kallëzim që vetë ai ka bërë në vitin 2021. Prefekti i Vlorës ka qëndruar përreth një orë në Prokurorinë e Posaçme.
“Isha si person që kam dijeni mbi kallëzimin që kam bërë në vitin 2021”, tha Tavo për mediat.
Kujtojmë se në vitin 2021 Tavo ka bërë një kallëzim në prokurori ndaj një personi, për të cilin pretendonte se i ka përdorur emrin dhe kishte shkuar në disa shtëpi banorësh për të ofruar para në këmbim të votës. Por nuk dihet nëse paraqitja e sotme e Tavos në SPAK ka të bëjë me çështjen e sipërpërmendur.
Gazetari i RTSH, Kreshnik Mersinllari bëri me dije se Tavo është një prej personave të përmendur në kallëzimin që është bërë në SPAK, mbi lobimin e LSI-së.
“Ai kallëzohet si një ndër personat që njihte lobuesit grek për të bërë lobimin në SHBA për llogari të LSI-së”, bëri me dije gazetari Mersinllari.
/rtsh.al/