E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamioni kalon në korsinë e kundërt dhe përplaset me 4 mjete, një i vdekur dhe 10 të plagosur në Turqi (VIDEO) –

Një person ka humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur në një aksident rrugor në zonën Kadinhani, në provincën e Konias, në Turqi, pasi një kamion kaloi në korsinë e kundërt të qarkullimit dhe u përplas me katër automjete që prisnin në semafor.

Aksidenti ndodhi rreth orës 15:00 të enjten, në autostradën Konia-Afion Karahisar.

Sipas mediave turke, kamioni po lëvizte drejt Konias kur, teksa iu afrua semaforëve, drejtuesi dyshohet se humbi kontrollin e mjetit, me shumë gjasa për shkak të një defekti në frena.

Mjeti i rëndë fillimisht kaloi nga korsia e djathtë në atë të majtë dhe më pas hyri në korsinë e kundërt. Aty u përplas fuqishëm me tre automjete dhe një kamion, të cilët ishin ndalur në semafor.

Nga përplasja humbi jetën një 65-vjeçar, drejtues i një prej automjeteve, ndërsa 10 persona të tjerë mbetën të plagosur. Të lënduarit u transportuan në spitalet e zonës, ku po marrin trajtim mjekësor.

Momentin e përplasjes e ka regjistruar kamera e një automjeti tjetër që ndodhej në vendngjarje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›