E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kanada: Justin Trudeau pritet të japë dorëheqjen si lider i partisë së tij

Kryeministri kanadez Justin Trudeau pritet të njoftojë dorëheqjen, raporton Reuters.

Burime për Reuters bënë me dije se Trudeau pritet të njoftojë ditën e sotme se do të largohet nga posti i udhëheqësit të Partisë Liberale në pushtet të Kanadasë pas nëntë vjetësh në detyrë.

Largimi i Trudeau do ta linte partinë pa një kryetar në një kohë kur sondazhet tregojnë se liberalët do të munden nga konservatorët e opozitës zyrtare në zgjedhjet që duhet të mbahen deri në fund të tetorit.

Nuk dihet se kur Trudeau do të njoftojë planet e tij për t’u larguar, por pritet që kjo të ndodhë përpara një takimi urgjent të ligjvënësve liberalë të mërkurën.

Një numër në rritje i parlamentarëve liberalë, të alarmuar nga një seri sondazhesh të zymta, i kanë kërkuar publikisht Trudeau të largohet.

Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Mbetet e paqartë nëse Trudeau do të largohet menjëherë ose do të qëndrojë si kryeministër derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri liberal, shtoi Reuters./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›