Kanada, shpëtohen 35 minatorë të bllokuar

Ekipet kanë ndihmuar 35 minatorë të bllokuar në një sipërfaqe nëntokësore në një minierë në Kanada, por katër të tjerë akoma mbeten të bllokuar.
Një ekip shpëtimi prej 58 personash i kompanisë ‘Vale’ dhe ‘Shpëtuesve të Minierës Ontario’ ndihmuan 35 minatorë në minierën ‘Totten’ pranë qytetit Sudbury të lëviznin rreth 1 kilometër përmes shkallëve dhe litarëve për të arritur në sipërfaqe mëngjesin e sotëm.
Katër të tjerët akoma janë nëntokë duke pritur radhën e tyre për të arritur në sipërfaqe.
Kreu i Unionit të Punëtorëve të Çelikut Lokal, Nick Larochelle, tha se mjekët janë në vendngjarje duke kontrolluar minatorët derisa dalin nga miniera.
“Askush nuk është lënduar fizikisht në incident ose në evakuim. Ekipi i trajnuar i shpëtimit ka punuar shumë që mbrëmë për të evakuuar minatorët të cilët kanë qenë të bllokuar nën tokë që nga mesdita e të dielës. Ushqimi, uji dhe nevojat e tjera janë në dispozicion dhe punëtorët po udhëtojnë për në shtëpi”, tha Larochelle.
‘CTV News’ raportoi se minatorët u bllokuan nën tokë të dielën rreth mesditës kur një lopatë e madhe goditi dhe dëmtoi boshtin e ashensorit.
Minierat ndodhen pranë qytetit Sudbury, një qytet me një popullsi prej rreth 165 mijë banorësh, rreth katër orë në veri të Torontos. Miniera ‘Totten’ prodhon bakër, nikel, kobalt, platin, ar dhe argjend, si dhe ka rreth 200 punonjës.
Faqja e kompanisë thotë se ‘Vale’ ka operuar miniera në Sudbury për mbi 100 vite. Ajo ka pesë miniera, një mulli, shkritore, rafineri dhe pothuajse 4 mijë punonjës, si dhe është një nga komplekset më të mëdha të minierave të integruara në botë./AA