Kanalizimi i ujërave në Lezhë – Investimi i KFV 18 mln euro, përfshin edhe ndërtimin e ujësjellësve

Në qytetin e Lezhës kanë nisur punimet për kanalizimin e ujërave të bardha e të zeza, një projekt i rëndësishëm ky që i jep zgjidhje përfundimtar problemit të përmbytjeve në këtë qytet.
Sipas zëvendëskryetarit te bashkisë Lezhe, Fatjon Zefi puna ka nisur me ndërtimin e stacionit të pompimit për të vazhduar më pas me kanalizimin e gjithë rrugëve të qytetit.
“Sot ndodhemi pranë prokurorisë Lezhë, ku kanë filluar punimet e KFV për rehabilitimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza dhe të zgjidhim një problem të mbartur në vite. Duke shmangur problemin e përmbytjeve dhe do të ndërtohet stacioni i pompimit”, u shpreh Zefi.
Në këtë projekt të financuar nga banka gjermane KFV, me vlerë 18 milion euro, përfshihen dhe ndërtimi i ujësjellësit të lagjes “Nënë Tereza”, fshatrave Gocaj-Kakarriq dhe vendosja e tubacionit kryesor që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Shëngjinit.
“Ky është një projekt i bankës gjermane në bashkëpunim me KFV me vlerë 18 milionë euro ku brenda tij përfshihen edhe disa projekte të tjera”, tha ai.
Rezultatet e para të këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët e Bashkisë Lezhë, po duken në qytetin e Shëngjinit ku familjet dhe bizneset po furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje.
/rtsh.al/